Sipas gjithë gjasave udhëtarët e Lufthansës do duhet paraqesin në të ardhmen një test negativ apo dëshmi vaksinimi për Covid për fluturimet e distancave të gjata. Industria ajrore është goditur rëndë nga pandemia. Për fluturimet e distancave të gjata me linjën ajrore kombëtare të Gjermanisë mund të kërkohet në të ardhmen një test negativ për COVID-19 ose vërtetimi se pasagjeri është vaksinuar. “Personalisht mendoj se në të ardhmen çdo pasagjer që do të fluturojë për në disa destinacione të caktuara ndërkontinentale ose ka bërë testin ose vaksinën,” tha drejtori ekzekutiv i Lufthansës Carsten Spohr për gazetën “Welt am Sonntag”.
Industria ajrore e god itur rëndë nga pandemia. Në të gjithë botën industria e linjave ajrore ka vuajtur fuqimisht nga një rënie e madhe e numrit të udhëtime ajrore gjatë pandemisë COVID-19 dhe Lufthansa nuk bën përjashtim. Në përpjekje për t’i bërë udhëtimet ajrore më të sigurta dhe të realizueshme mes sfidave të shkaktuara nga shpërthimet e vazhdueshme të infeksioneve dhe prej kufizimeve të udhëtimit, Spohr dha disa shpjegime pë masat që do të merren në të ardhmen për fluturimet. Këto masa do të merren jo menjëherë por me faza. Në fazën e parë, Lufthansa do të rrisë numrin e fluturimeve për destinacione ku do të kërkohet testi i shpejtë për COVID-19, tha Spohr. “Në fazën e dytë, ka të ngjarë të ofrohet mundësia e zgjedhjes mes çertifikatës së vaksinimit ose një testi të shpejtë për COVID-19,” tha ai. Spor shtoi se çertifikata apo dëshmia e vaksinimit nuk do të kërkohet pasi të jetë arritur një nivel i nevojshëm imuniteti.
Jo vaksinim i detyrueshëm. Lufthansa nuk planifikon ta vendosë vaksinimin si rregull të detyrueshëm për të fluturuar, sikurse po planifikon p.sh. shoqëria kombëtare australiane Qantas. “Si kompani ajrore ne as nuk mund dhe as nuk duam ta bëjmë një rregull të tillë të detyrueshëm” – tha Spohr. Lufthansa pati nevojë për një paketë shpëtimi prej miliarda eurosh për të shmangur kolapsin në fillim të këtij viti. Spohr pranoi se në vitin 2020 Lufthansa kishte shënuar një rënie të shitjeve me dy të tretat, por tha se aftësia e kompanisë për të ulur shpejt kostot i mundësoi të ketë në dispozicion 10 miliardë euro likuiditet. Megjithë shpresat që një fushatë ndërkombëtare e vaksinimit e filluar së fundmi do të ndihmojë për të vënë nën kontroll pandeminë, Spohr nuk është optimist se numri i udhëtimeve ajrore do të rikthehet vitet e ardhshme në nivelet e para Covidit. “Për të qenë realistë ne supozojmë se në mes të dekadës do të kemi deri në 10% më pak pasagjerë se sa në kohën para virusit Corona,” tha ai./DW