Nga Mero Baze

Një nga rreziqet që mund të përballen partitë e reja të dala nga Partia Demokratike, është paqartësia e tyre, se cilin elektorat kërkojnë të marrin nga Partia Demokratike. Ky është thelbi i suksesit, por dhe dështimit të mundshëm të tyre. Problemi që ato kanë, është se ato janë krijuar si parti, nga mungesa e demokracisë brenda PD dhe sidomos nga mungesa e rregullave dhe shanseve të barabarta në një parti ku ata kanë kontribuar. Dhe meqë formalisht këtë problem ua ka shkaktuar Lulzim Basha, të gjitha bateritë janë drejtuar kundër tij.

Që sulmojnë Lulzim Bashën është në rregull, pasi ai është një problem i Partisë Demokratike, por tani jo më problem i tyre. Problemi i tyre është se cilin votues të PD duan të marrin. Ajo që bie në sy është se shumë nga drejtuesit e partive të reja, synojnë të krijojnë një realitet virtual, sikur PD dhe Berisha janë në rregull, por gjithë problemet i ka shkaktuar Lulzim Basha. Kjo, nga njëra anë se vazhdojnë të tremben të përballen me Berishën, edhe për meritë të mashtrimeve të vogla të tij, që i mban me shpresë, por nga ana tjetër krijojnë një realitet virtual që është i dëmshëm për vetë ata, sikur po humbi Basha, Berisha do thërrasë përsëri këta. Atëhere kauza e tyre reduktohet në hall personal, që nuk i intereson askujt.

Nuk ka fabulë politike që të jep vota nga thesi i PD, nëse thua që problem është Luzlim Basha, por Berisha është në rregull. Lulzim Basha është një kukull e Sali Berishës dhe nëse dikush mendon se Berisha do porosisë demokratët fshehur të votojnë Topallin, Patozin, Murrizin, apo Hajdarin, i gënjen mendja. Votat e Sali Berishës janë për Luzlim Bashën, ashtu siç i ka dhënë me dhunë karriken e PD. Fabula e vetme që prodhon betejë është të përballesh pikërisht me këtë problem, me problemin që Sali Berisha krijoi në demokracinë e brendshme në PD, për herë të fundit më 2013, duke emëruar dhunshëm Lulzim Bashën dhe duke vrarë garën dhe rregullat e lojës. Të tjerat janë pasoja.

Ndaj partitë e reja duhet të sillen si parti qytetare, që duhet të distancohen nga Sali Berisha dhe të kërkojnë në shoqëri votat e asaj pjese që e refuzon atë model politik. Ata mund të rivlerësohen vetëm si të distancuar nga Sali Berisha, pasi nëse një qytetari shqiptar ti i thua që Berisha është i mirë, por Basha është i keq, ai voton përsëri për Bashën, se për atë i thotë Berisha. Kjo është një fabulë që duhet refuzuar para se të turpërohen dhe të dalin pa asnjë mandat nga fushata. Ndarja me Sali Berishën është akt qytetar që të krijon impakt në shoqëri. Ndarja me Lulzim Bashën të shkakton të qeshura. Kompleksi për t’u përballur me Sali Berishën i bën ato parti pa identitet dhe njerëz me kokën pas nga gërmadhat e PD.

PD është tashmë një parti drejt privatizimit formal. Pas humbjes së Lulzim Bashës, kandidati i radhës është familja Berisha, dhe ajo përfundon në një parti dhjetëpërqindshe, sa për të dalë në konferenca shtypi kur t’u merret ndonjë pronë. Ata që e kanë ndarë mendjen të dalin nga PD me parti më vete, nuk kanë punë më me atë parti. Ata duhet të dënojnë ‘Berishizmin” si shkollë politike dhe duhet t’u drejtohen qyetarëve të lirë të këtij vendi, që e kanë refuzuar Berishën me kohë. Brenda PD ata kanë shanse të marrin vetëm elektoratin e heshtur anti-Berishë. Dhe atë e marrin duke u distancuar nga Berisha, dhe jo duke krijuar idenë që e kemi problemin me Lulzim Bnashën.

Lulzim Bashën nuk e merr askush seriozisht as brenda PD. Ata që e marrin, e marrin prej Berishës, i cili e ka bërë zgjedhjen e tij. Seriozisht atë kemi për ta marrë kur t’i vijë ora të përballet me Berishën. Ajo do jetë beteja e parë e tij. Eshtë koha që partitë e reja të dala nga PD, të bëjnë zgjedhjen e tyre, që nuk mund të jetë Sali Berisha. Në vitin 2020 kjo gjë është më e vjetër se vetë Sali Berisha.