Nga Mero Baze/
Një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka shpallur të pavlefshme votën e një deputeti në Kuvendin e Kosovës gjatë votimit për qeverinë “Hoti”, e cila ka pas marrë numrin kritik të votave. Pas vendimit, Qeveria ka humbur shumicën dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, që mbahen afërsisht për 45 ditë. Të gjitha palët janë shprehur të gatshme për zgjedhje, por vendimi e ka futur Kosovën në një krizë shumëplanëshe institucionale, pasi aktualisht vendi është pa President, pasi Hashim Thaçi është në Hagë dhe në vend të tij është një ushtruese detyre. Po ashtu, prej sot Abdullah Hoti është ushtrues detyre i kryeministrit, edhe pse për gati 9 muaj e ka shpëtuar Kosovën nga konfliktet që nisi Albin Kurti me faktorin ndërkombëtar e sidomos me SHBA e Bashkimin Europian.
Ndërkohë prej Vjosa Osmanit është shkarkuar shefi i shërbimit sekret. Po t’i shtosh dhe faktit që pas shpërndarjes së Parlamentit nuk ka as kryetar Parlamenti dhe Osmani nuk mund të jetë më ushtruese e detyrës së presidentit, pasi atë detyrë e ka si kryetare e Parlamentit, atëhere kriza bëhet e plotë. Vendimi i Gjykatës u duk sikur rrëzoi një tullë, por në fakt rrëzoi brenda një minute gjithçka nga shteti i Kosovës, presidentin, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, shefin e Shërbimit.
Presidenti i ri normalisht do të duhet të zgjidhet nga Parlamenti i dalë pas zgjedhjeve. Por në rast se Kosova hyn në një krizë të re të mos formimit të Qeverisë, ku askush nuk formon shumicën, vendi rrezikon të mbetet gjatë pa president, pa kryeministër, pa kryetar Kuvendi dhe shef të shërbimeve sekrete. Në zgjedhjet e fundit që përfunduan më 6 tetor të vitit të kaluar, Qeveria arriti të formohej në janar dhe nëse përsëritet ky skenar, vendi mund të ngelet pa president deri në qershor në rastin më të mirë. Në rastin më të keq mund të rishkohet në zgjedhje pa asnjë institucion.
Kështu që vendi po shkon drejt zgjedhjeve nga pika zero dhe ka disa skenarë të frikshëm. Skenari më i mundshëm është që Albin Kurti del forcë e parë, por nuk merr mbi 50 për qind të votave. Në atë klimë armiqësie që ai ka krijuar në Kosovë, askush nuk do të jetë i gatshëm të bashkojë votat me të, pa lëshime thelbësore dhe në bazë të Kushtetuës së Kosovës, nëse partia e parë nuk bie dakord të mbledhë Parlamentin dhe të caktojë kryetarin, Parlamenti nuk mblidhet dhe rishkohet sërisht në zgjedhje.
Albin Kurti është i gatshëm ta bëjë këtë me qetësi, derisa Kosova të shkrumbohet, ose ai të bëhet mbret.
Skenari i dytë është që të formohet një koalicion i gjerë PDK- AAK- NISMA dhe partitë e tjera më të vogla, me shpresë të dalin lista e parë dhe të marrin mandatin për formimin e Qeverisë. Kjo do të ishte paksa e vështirë në një kohë kur udhëheqja politike e PDK është në burg dhe protagonizmi i Haradinajt për president, është po aq problematik sa ambiciet e Albin Kurtit për të marrë gjithçka që ka përpara, ose për të marrë zvarrë Kosovën. Skenari i tretë më racional do të ishte që PDK të hyjë në Qeveri tani, të formohet një shumicë e re, të shmangen zgjedhjet derisa të zgjidhet presidenti dhe pas kësaj të shkohet në zgjedhje.
Kjo së paku e bën vendin me president dhe mbush boshllëkun institucional që mund ta rrënojë tërësisht Kosovën. Por dhe këtë proces mund ta pengojë Vjosa Osmani. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese rrëzon qeverinë “Hoti”, por nuk është doemos detyrim për shkuarje në zgjedhje. Kështu Kosova ka shansin e zi të shkojë në zgjedhje me mentalitetin e Albin Kurtit, ose të gjitha, ose asnjë, dhe me këtë mentalitet, falë tij dhe Osmanit, Krishtlindjet e ardhshme do ta gjejnë Kosovën, pa kryeministër, pa president, pa kryetar Kuvendi, pa shef shërbimi sekret, por me shpresë se për Krishtlindjet e tjera, zoti do t’u dërgojë Al Bin-in.