Ish-ministri i Shëndetësisë Leonard Solis u shpreh optimist për mbërritjen e vaksinës në Shqipëri, por ai shtoi se kjo nuk varet nga negociatat e qeverisë. Në studion e ‘Java në RTSH’, Solis tha këtë të premte se vendi ynë është me fat që ndodhet në BE dhe pritet që vendet fqinje ta ndihmojnë sapo të mbërrijnë dozat e para. “Unë do të bëhesha xheloz nëse vaksinën do ta merrte Mali i Zi apo Maqedonia dhe tek ne të mos kishte mbërritur ende.

Duhet ta kuptojmë se pavarësisht dënglave që kemi, ne jemi një vendi varfër. I vetmi avantazh që ne kemi është që jemi në Evropë. Pandemia është globale dhe ne do presim radhën për vaksinën si të gjithë. Mos harroni janë 7,8 miliardë banorë në botë. Nuk mund t’i kërkojmë llogari askujt se kur do vijë vaksina” – tha Solis. Në panelin me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, ish-ministri shtoi se vaksinën do ta marrin të pasurit të parët. “BE ka luajtur me një lloj llotoje duke vënë bast dhe ka parapaguar për vaksinën. Mos harroni që Pfizer prodhoi 1.5 miliardë doza pa marrë licencën ende. Pra është financuar pavarësisht riskut. Në botë janë 50 shtete që po lundrojnë në këët fushë.

India po prodhon vaksinën e saj. Kina ka 2-3 vaksina të tjera që janë në fazën e tretë. Brazili dhe Izraeli gjithashtu, e shumë të tjerë. Ne asnjëherë nuk e dimë se kur do ta marrim. Dimë që jemi në BE dhe do të na e japi Italia apo Greqia. Megjithatë unë jam optimist, por mbërritja e vaksinës nuk varet nga negociatat e qeverisë” – tha Solis.