Nga ARTUR AJAZI
Dëshira apo diçka tjetër, po e shtyjnë Lulzimin e Doktorit, të bëjë dhe shpikë gjithçka, vetëm për tu bërë pak “kryeministër”. I gjendur mes një kryqëzate të fuqishme Berisha-Meta, e cila e ka detyruar të deklarojë shpesh premtime që do ti kishte zili edhe vetë Doktori në fushatë, duket se Lulzim Basha, e ka kthyer në ëndërr të përditshme dëshirën e tij kryeministrore. Shpesh ai përdor fabulën “nip Kosove”, pastaj rikthehet tek “rrogat dhe pensionet e barazvlefshme me ato në Kosovë, Hollandë apo gjetkë”, merret me rininë, fëmijët, gratë, pensionistët, u premton punonjësve të fasonerive “rroga mbi 300 euro”, pastaj betohet se “do ta detyrojë Serbinë të njohë Kosovën në 100 ditët e para të pushtetit”, etj, etj. Eshtë vërtetë estradë dhe paradë SHQUP-i.
Premtimet dhe përbetimet e Lulzimit nuk i ngjajnë njëra-tjetrës tek i dëgjon të formulohen aq dobët dhe aq cekët, sa nuk do ti shkonin as Fatmir Mediut apo Dash Shehut në kohë fushate. Por teksa i afrohemi datës së zgjedhjeve, për aleatët e PD-së me partiçka pa anëtarësi, objektivi mbetet “largimi Kryeministrit Edi Rama”, ku sipas tyre “ajo që po bën Basha nuk është e mjaftueshme”. Ata kërkojnë që së bashku me PD-në, si partinë më të madhe në opozitë, të përcaktojnë formulën e koalicioneve se si do të shkojnë në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Dhe Lulzimi e ka premtuar se do ta bëjë këtë. Duke folur si “kryeministër”, ai u ka deklaruar aleatëve se “opozita do të bëjë sa me shpejt të qartë programin e saj qeverisës (pa sqaruar detaje) si një kontratë me shqiptarët, dhe do të ketë gati ekipin e saj qeverisës”. Por gjithsesi deklaratave, aleatët e Lulzim Bashës, duhet thënë se nuk besojnë shumë tek marrëveshjet e tij, dhe kjo për faktin sepse në mes është partia e Ilir Metës. Edhe pse duket “entuziast” për të ardhmen e tij politike, duket se Lulzim Basha nuk është në gjendje të nisë një fushatë elektorale dinjitoze përballë Edi Ramës. Që tani, ai e ka ndjerë se Rama po e “mund” me punë, projekte, investime, vendime qeverie në dobi të qytetarëve, dhe jo me pallavra, premtime boshe dhe pasione imagjinare për të qenë një ditë edhe ai “kryeministër”. Ajo ëndërr, do ti mbetet përgjithmonë në sirtar Lulzimit, edhe pse është gati të bëjë gjithçka për ta realizuar.
Pas 25 Prillit, Lulzimi mban shpresë se do të mbledhë ndjekësit e tij në bulevard, dhe po pergatit qysh tani skenarin e mosnjohjes së zgjedhjeve. Deklaratat e tij të shpeshta se “mos guxo të prekësh votën e lirë”, apo paralajmërimi se “do të përballesh me 1 milion e 500 mijë shqiptarë”, janë më tepër ndjesia e humbjes që ai ka për të tretën herë përballë Edi Ramës në tapetin elektoral tapetin elektoral. U bëre shumë i pasur në opozitë Lulzim, u bëre vërtetë “oligark”, madje më i thekur se ata, që deri dje i akuzoje se “janë miq të kryeministrit Rama”. Gjithkush do të kishte zili pasurinë tënde prej “opozitari”, por askush nuk do të dëshironte të ishte në vendin tënd, ndaj bëje gjumin e qetë Lulzim, sepse edhe nja 2 mandate të tjera pas 25 Prillit, zor se bëhesh “kryeministër”.