Diego Armando Maradona ka mbetur në zemrat e shumë vetave. Tifozët, personat e afërt dhe ish-shokët e ekipit, të cilët kanë vlerësuar jo vetëm frymëzimin në fushë, por edhe njeriun dhe përulësinë jashtë drejtkëndëshit të gjelbër. Ariel Ortega, ish-bashkëlojtari i Diegos me ekipin kombëtar argjentinas, zbuloi për “Tyc Sports” një anekdotë: “Unë e dua Diegon, nuk mund ta përshkruaj sa do të thoshte kjo humbje për mua. Në vitin 1994, rastësisht ndava një dhomë me të. Besoj se pak prej nesh kanë mundësi të tregojnë një situatë si kjo. Unë as që doja të qëndroja në dhomë me Diegon, më vinte turp”.
Për ta qetësuar Ortegën mendoi vetë Maradona, ai që me shumë respekt dhe njerëzillëk iu drejtua si babai, djalit të tij: “Maradona më tha që dhoma ishte e imja, të merrja kontrollin e plotë të saj dhe të bëja atë që doja. Më dukej e pabesueshme; dukej sikur isha unë Maradona dhe ai Ortega. Diego kishte një përulësi të jashtëzakonshme. Aty zbulova anën njerëzore të Maradonës. Ishte një person fantastik.
Shumë herë gjatë stërvitjes kam dashur të qëndroj jashtë ekipit, të ulesha mënanë dhe ta shikoja me admirim. Unë e respektoj atë si një njeri dhe si futbollist. Kur jeni i ri, ndodh të gaboni në sjellje dhe qëndrime. Ndonjëherë keni nevojë për një përqafim dhe këshillë. Maradona m’i dha të dyja, i jam jashtëzakonisht mirënjohës. Ai gjithmonë më telefononte dhe më kërkonte në kohërat e mira, por ishte shumë më i pranishëm në momentet e mia të vështira. Ai më la një ngarkesë të madhe afeksioni dhe njerëzillëku. Do t’i jem gjithnjë mirënjohës”.