Komisioni i Sigurisë ka diskutuar sot dekretin e presidentit Ilir Meta për kthimin në Kuvend të ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Sipas mazhorancës, argumentimet e Kreut të Shtetit nuk qëndrojnë. Deputetja e PS, Antonenta Dhima ka dhënë argumentet e saj kundër këtij dekreti, duke thënë se presidenti ka ecur me teori subjektive dhe konspirative. “Është e qartë që jemi në harmoni të plotë me detyrat e shtetit në kohë zgjedhjesh, në përputhje me parashikimet e kodit zgjedhor. Nuk ka prapaskena të prezumuara. Në komentet e tij Presidenti ka ecur me teori subjektive dhe konspirative”, u shpreh deputetja Dhima.

Ndërkohë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se ligji është sjellë sepse ia detyron kodi i procedures. Ndërkohë ai tha se praktika të tilla ka në shumë vende të BE. “Një drejtor i policisë në një land të Gjermanisë ka autorizim të futet në ambient privat dhe të vendosë një përgjigjes. Ne këtu nuk e kemi. Policia shqiptare ka sot më pak atribute në krahasim me vendet e tjera të BE”, tha ministri. Ndërkohë deputeti i opozitës në parlament, Myslim Murrizi deklaroi se do të votojë pro dekretit të presidentit dhe kundër ligjit, pasi sipas tij ky ligj bie ndesh me kushtetutën.