Eksporti i mandarinave ka shënuar rritje të ndjeshme në javët e para të muajit dhjetor. Sektori i agrumeve në Shqipëri është një tjetër grup me rekorde pozitive të prodhimit dhe eksporteve në strukturën e sektorit bujqësor, që është shumëfishuar në shifra reale në këto vitet e fundit. Sipas statistikave zyrtare nga qendra e eksporteve Vlorë, eksportet e mandarinave gjatë javës 11-17 dhjetor 2020, kapën shifrën e mbi 1600 tonëve. Ndërkohë që sasia e eksporteve të këtij agrumi në një ditë shkon deri në 400 tonë.
Tregjet kryesore ku eksportohen mandarinat janë në Kosovë, Maqedoni e Veriut, por është konsoliduar tashmë eksporti i tyre edhe drejt Bosnjë Hercegovinës, Serbisë e Ukrainës. Vitet e fundit prodhimi i agrumeve është trefishuar në mbi 50.882 tonë, kundrejt 13.336 tonëve që ishin në 2010. Ndërsa prodhimi i mandarinave në harkun e 9 viteve u rrit në shifra dyshifrore.