Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, deklaroi sot se me mbështetjen e drejtpërdrejtë politike, financiare dhe institucionale të Shqipërisë, për herë të parë janë hapur zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë. Kjo zyrë, siç thekson Cakaj, do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen dhe lartësimin e të drejtave themelore të shqiptarëve në Medvegjë. Më tej Cakaj shprehet se hapja e kësaj zyre ka qenë detyrim kombëtar i kahmotshëm i Shqipërisë, por tani është edhe imponim i disa rrethanave politike: procesi i fshirjes së adresave të shqiptarëve ka zvogëluar dukshëm peshën politike të faktorit shqiptar në Medvegjë.

“Kjo zyrë, në bashkërendim të plotë me Shqipërinë, duhet të punojë fort në kundërshtimin e politikave të fshirjes krejtësisht të qëllimshme të adresave të shqiptarëve”, u shpreh Cakaj.

Gjithashtu, Cakaj pohon se Medvegja është pjesë e patjetërsueshme e Luginës së Preshevës dhe puna për mbështetjen e faktorit shqiptar në këtë qytet do të vazhdojë me përkushtim të plotë. “Shumë shpejt do të fillojmë edhe me programin e plotësimit të shkollave me literaturë shqipe dhe trajnimit të mësuesve shqiptarë në Medvegjë”, informoi ministri i Jashtëm në detyrë Cakaj.

Ai përfundoi reagimin e tij, duke shprehur se mbështetja politike dhe institucionale për të gjithë shqiptarët në rajon është dhe do të jetë e vazhdueshme.