Më pak se një muaj para përfundimit të ndarjes së tyre, Londra dhe Brukseli po përdorin kartat e tyre të fundit për të arritur një marrëveshje postBrexit dhe për t’i shpëtuar kështu një “no deal” shkatërrues, gjë që ka krijuar tensione në mesin e vendeve anëtare të Bllokut për koncesionet e mundshme. Më 31 dhjetor, në orën 23:00 GMT, do të përfundojë periudha e tranzicionit pas ndarjes historike, e shpallur më 31 janar. Britania e Madhe do të ndalojë së zbatuari rregullat europiane dhe do të dalë nga tregu i vetëm.
Pas muajsh diskutimesh të ngadalta, negociatat, të zhvilluara aktualisht në Londër, janë ende në ngërç për të arritur një marrëveshje të tregtisë së lirë pa kuota ose taksa doganore, që do të kufizonin trazirat në tregti. Nëse arrihet një marrëveshje mes ekipeve të negociatorit të BE-së, Michel Barnier dhe homologut të tij britanik, David Frost, ajo do të duhet të ratifikohet nga parlamentet përkatëse, duke i bërë ditët e ardhshme vendimtare. “Ne po punojmë shumë për të kapërcyer ndryshimet e mbetura dhe do të vazhdojmë të negociojmë gjatë gjithë javës”, tha një zëdhënës i Downing Street.
Sipas burimeve europiane, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, dëshiron një marrëveshje dhe dërgoi një nga bashkëpunëtorët e saj të ngushtë, Stéphanie Riso, në Londër, me qëllim përshpejtimin e negociatave, me koncesione që rrezikojnë të shkojnë përtej asaj që është pranuar nga vendet anëtare.