Televizioni Report TV dhe Instituti prestigjioz italian Piepoli, i cili prej 60 vitesh realizon në Itali sondazhe zgjedhore për RAI-n dhe për televizionet më të rëndësishme kombëtare, bënë një marrëveshje për të ndjekur gjithë procesin zgjedhor në Shqipëri deri më 25 prill 2021.

Sondazhi i parë do të transmetohet sonte gjatë programit “Repolitix” të drejtuar nga Denis Minga. Temat mbi të cilat do të përqendrohet ky sondazh i parë, i përkasin opinionit të shqiptarëve mbi sjelljet e qeverisë Rama si në reagimin ndaj tërmetit, ashtu dhe menaxhimin e pandemisë, por edhe për tema thelbësore për punën e një qeverie si: lu fta ndaj korrupsionit, reforma e Drejtësisë, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi i turizmit, marrëdhënia me mediat etj.

Instituti Piepoli ka testuar opinionin e shqiptarëve edhe mbi qëndrimet e opozitës dhe të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Një pjesë e sondazhit i dedikohet natyrisht parashikimit të votimeve 4 muaj para ditës së zgjedhjeve. Këto janë zgjedhjet e katërta që Report TV ndjek me sondazhet e Institutit Piepoli pas atyre të 2013, 2015 dhe në 2017 kur parashikuan saktësisht shumë muaj më parë rezultatet finale.

Në sondazhin e zhvilluar nga Piepoli, qytetarët shqiptarë janë pyetur  se si e vlerësojnë mënyrën se si Qeveria shqiptare pandeminë COVID. Sipas sondazhit 39% e shqiptarëve mendojnë se Qeveria shqiptare e ka menaxhuar shkëlqyeshëm e emergjencën e shkaktuar nga COVID. Mirë janë përgjigjur 16% ndërkohë që dobët dhe keq mendojnë respektivisht 16% dhe 15%.