Harrojeni emrin e stadiumit “San Paolo” të Napolit. Nga sot ai do të quhet vetëm “Diego Armando Maradona”.

Vendimi i Bashkisë së qytetit ka ardhur sot dhe është hedhur firma në dekretin që zyrtarizon ndryshimin e emrit duke vendosur atë të legjendës argjentinase të ndarë nga jeta pak ditë më parë.

Menjëherë pasi u mësua lajmi për vdekjen e Maradonës, tifozët napolitanë në kor kërkuan ndryshimin e emrit të stadiumit.

Disa prej tyre shkuan deri aty sa vendosën vetë tabelën me emrin pranë impiantit kur po vendoseshin homazhet e tifozëve për ish-futbollistin i cili arriti suksese të jashtëzakonshme me napolitianët.

Sot, kryetari i bashkisë, Luixhi De Maxhistris, në praninë dhe me firmën e të gjithë Këshillit Bashkiak, ka dekretuar ndryshimin e emrit sipas kërkesës së tifozëve. Kështu, tani të gjithë do e njohin si “Stadio Diego Armando Maradona”.

Një homazh i rëndësishëm i qytetit për atë që në dekret vlerësohej si “lojtari më i madh i të gjitha kohëve, i cili me talentin dhe magjinë e tij të pamasë ka nderuar për 7 vite fanellën e skuadrës së Napolit, duke i dhuruar dy tituj në historinë e tij dhe turne të tjerë prestigjiozë, duke marrë në këmbim nga i gjithë qyteti një dashuri të përjetshme dhe të pakushtëzuar”.