Federica Cappelleti, bashkëshortja e heroit të Italisë Paolo Rossi, njoftoi për vdekjen e fituesit të Kupës së Botës me një mesazh emocionues në rrjetet sociale. Paolo Rossi, ylli i ekipit kombëtar të Italisë që e fitoi Kupën e Botës në vitin 1982, vdiq të mërkurën mbrëma në moshën 64-vjeçare. Lajmi për vdekjen e tij u bë edhe nga televizioni italian RAI Sport, për të cilin Rossi po punonte si ekspert futbolli.

“Lajm shumë i trishtueshëm: Paolo Rossi na ka lënë”, shkroi në Twitter prezantuesi i RAI Sport Enrico Varriale.

Rossi i ka lënë pas tre fëmijë dhe bashkëshorten Federica Cappelleti, e cila e konfirmoi lajmin për vdekjen e tij mbrëmë. Bashkëshortja e Rossit, Federica Cappeletti, e postoi një fotografi të veten dhe të bashkëshortit në llogarinë e vet në Instagram, me mbishkrimin “per sempre” – “përgjithmonë”.

Federica, e cila është gazetare, dhe Paolo e kanë shkruar një libër së bashku, i cili titullohet “Quanto Dura Un Attimo (Sa shumë zgjat një çast)”. Ndërsa në Facebook shtoi: “Nuk do të ketë edhe një si ti kurrë. I veçantë, unik, pas teje nuk ka asgjë më”.

Ish-lojtari i Juventusit dhe Milan njihej si njëri prej sulmuesve më të mirë të të gjitha kohëve dhe ishte më së shumti i famshëm për lojën heroik në Kupën e Botës 1982 në Spanjë. Rossi luajti në Serie A gjatë gjithë karrierës, duke i fituar dy tituj në ligë dhe duke i ndihmuar Juventusit ta fitojë Kupën Evropiane më 1984. Ai është fituesi i dytë i Kupës së Botës që vdes brenda dy javëve, pas Diego Armando Maradonës që vdiq nga sulmi në zemër.