Në Katedralen “Nënë Tereza” të Prishtinës, është mbajtur manifestimi solemn i Krishtlindjes. Para fillimit të ceremonisë zyrtare, është mbajtur një program me këngë e recitime nga fëmijët dhe kori i famullisë së Prishtinës.
Përveç Ipeshkvisë së Kosovës në këtë meshë morën pjesë edhe kryeministri Avdullah Hoti, besimtarë, si dhe personalitete të tjera që punojnë dhe veprojnë në Kosovë.
Më pas në predikimin e tij, imzot Dodë Gjergji është fokusuar në lutjet për pendim për fajet dhe mëkatet e bëra.
Ndërsa fokus ishin lutjet për viktimat e shkaktuara nga pandemia, të sëmurit, por edhe për mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin mjekësor që po bën çmos për shërimin e të sëmurëve nga pandemia COVID-19.
“Në pamundësi që të bëjmë më shumë, nëpërmjet lutjeve dhe nëpërmjet veprave nuk na ka penguar që të japim diçka nga vetja jonë, duke u lutur për ata të cilët i kanë humbur të afërmit e tyre. Në veçanti dëshiroj të theksoj që ne pandërprerë për të gjithë ata burra e ato gra, mjekë, infermierë të cilët pa u lodhur siç thotë populli deri në pikën e fundit janë përpjekur për t’u vërë në shërbim të jetëve dhe të njerëzve dhe për t’i shpëtuar ato”, tha ai.
Imzot Dodë Gjergji tha se janë shumë të bindur dhe plotë shpresë, që kremtimi i këtij viti i festës së Krishtlindjes, do të jetë më i përjetuar në bukurinë e vet se sa herëve të tjera, pasi do të arrijnë të shohin më qartë bukurinë e fesë, do të përjetojnë Zotin më pranë dhe do të ndjejnë më shumë nevojën e njëri-tjetrit.
“Jam shumë i lumtur që kremtimi i sivjetmë i festës së kërshëndellave varësisht asaj që u tha më lart do të jetë më i bukur se herave të tjera, pasi do të festojmë më me për shpirti, do të jemi më të afërt. Sepse besojmë se pas shëmtimit të ditëve që kemi kaluar do të përjetojmë Zotin në mënyrë më të mundshme. Kjo do të na mundësojë që vetvetiu sytë tanë të ngritën drejt qiellit”, tha ai.
“I ftoj edhe përgjegjësit institucionalë dhe politik në vend, që të rigjejnë urtinë e të parëve, entuziazmin e dikurshëm për liri dhe vullnetin që kishim për paqen, për të rindërtuar besimin, për të gjetur paqen e brendshme, pasi paqja, pajtimi dhe besimi në njëri-tjetrin nuk është vetën nevojë e përkohshme e as nuk i takon vetëm një gjenerate, por përgjegjësi e vazhdueshme e secilit prej nesh, që e dëshiron vetë Zoti”, tha ai.
Po ashtu Gjergji në mesazhin e Meshës së Krishtlindjes kërkojë nga politikanët që të merren me nevojat e njerëzve dhe të kujdesën për të ardhmen e tyre, duke thënë se vetëm kështu do të meritojnë besimin e popullit.
“Dua t’i ftoj të gjithë ata që kanë përgjegjësi për t’iu dhanë përgjigje pyetjeve të mëdha për vendin dhe të ardhmen tonë, të mos kenë frikë nga përvujtëria, pasi të përvuajturit gjejnë zgjidhje më shpejtë se krenarët; të mos kenë frikë nga kompromiset, pasi janë mundësia e vetme që na lejojnë të ecim më tutje drejt të ardhmes dhe siguron përparimin drejt demokratizimit të gjithë shoqërisë sonë; të mos kenë frikë të merren me nevojat e njerëzve dhe të kujdesën për të ardhmen e tyre, sepse vetëm kështu do të meritojnë besimin e popullit, i cili nuk donë t’i tregojnë se ‘kush është shpresa e kush e vret atë’, por të kenë guximin të merren vesh për gjërat që e përcaktojnë fatin tonë, t’i japin zgjidhje çështjeve të rëndësishme për vendin dhe të sigurojnë një frymë normaliteti njerëzor në mesin tonë”, tha ai.
Në fund imzot Dodë Gjergji shprehi edhe urimet për Vitin e Ri 2021 duke dëshiruar, paqe, mirëkuptim dhe shëndet për të gjithë qytetarët e vendit.