Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi zhvilloi sot një bashkëbisedim me mësues të shkollave të ndryshme në vend për të diskutuar mbi ecurinë e deritanishme të mësimit të kombinuar.

“Mësuesit ndanë me mua përvojën e javës së parë të mësimit të kombinuar, problematikat e shfaqura dhe sugjerimet për përmirësime të mëtejshme”, u shpreh ministrja Kushi. Ndër të tjera, Kushi shprehu mirënjohjen për mësuesit. “I falenderova pa masë për mendimet e tyre të sinqerta dhe u shpreha mirënjohjen time të pakufi për sakrificat që po bëjnë në këto kushte aspak të lehta të pandemisë. Faleminderit!”, theksoi ministrja.

Prej datës 1 dhjetor, si masë parandaluese ndaj pandemisë, në të gjitha shkollat e vendit klasat nga e pesta deri në të dymbëdhjetën po zhvillojnë mësim të alternuar, një pjesë e nxënësve në shkollë dhe një pjesë online.