Interi dështoi në Champions League, e mbylli grupin B në vend të fundit dhe tani është fokusuar te kampionati. Titulli është detyrim për Antonio Conten, edhe pse gara në Serie A do të jetë e fortë deri në fund.
“Curva Nord”, grupi kryesor ultras që mbështet zikaltrit, doli me një komunikatë ditën e djeshme, duke deklaruar se do vazhdojnë të mbështesin skuadrën e zemrës, teksa llogaritë duhen bërë në fund të sezonit.
Drejtuesit duan titullin, kusht që duhet të plotësohet nga trajneri për të vijuar të jetë pjesë e Interit. Nëse Lukaku me shokë nuk shpallen kampionë Italie, Conte do të shkarkohej. Pasardhësi? Atë e zbulon La Stampa. Flasim për Max Allegrin, ish-trajnerin e Juventusit dhe Milanit. 53-vjeçari qëndron pushim prej majit të vitit 2019 dhe Interi do të ishte një destinacion super për trajnerin nga Liverno.