Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime në vendimin “Për marrjen në përdorim të përkohshëm dhe vendosjen e servitutit për interes publik mbi pasuritë e paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i korridorit të kalimit të gazsjellësit TAP (Pjesë e projektit TAP)”. Sipas këtij vendimi, pronarët, pasuritë e paluajtshme të të cilëve merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, me një vlerë të përgjithshme prej 84 440 551.57 lekë.
Vendimi parashikon se bëhet fjalë për sipërfaqen prej 269 614 m², që merret në përdorim të përkohshëm dhe 120 066.55 m², mbi të cilën vendoset servituti. Vlera e përgjithshme prej 84 440 551.57 lekë dhe të gjitha shpenzimet e tjera procedurale, përfshirë edhe ato shtesë prej 50 000 lekësh, do të përballohen nga shoqëria TAP AG, si subjekt kërkues. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria TAP AG, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoritë vendore përkatësisht: Korçë, Devoll, Berat, Skrapar, Fier dhe Lushnjë për zbatimin e këtij vendimi.