Disa ditë më parë, Almeda Abazi zbuloi përmes një postimi shumë të ëmbël përkrah bashkëshortit të saj, Tolgahan Sayisman, se do të bëhet sërish nënë. Aktorja zgjodhi tre poza për të dhënë lajmin e bukur, ku shfaqej me partnerin në kopshin e shtëpisë dhe mbante me dorë barkun tashmë të rrumbullakosur. “Bebushi numër dy po vjen. Mezi po pres të të takoj, i vogli/e vogla!”, shkroi Almeda. Nuk ka vonuar shumë dhe aktorët kanë zbuluar edhe gjininë e bebushit numër dy, në një festë të vogël që kanë organizuar në shtëpi. Ata kanë hapur një kuti ku ishin rrobat foshnjeje, ndërsa ngjyra e kuqe i ka treguar atyre se po bëhen me vajzë!
Më herët, aktorja ka treguar se ndryshe nga e para, kur kishte Efehan në bark, në këtë shtatzëni të dytë nuk është ndjerë shumë mirë. Mirëpo pavarësisht të gjithave, detaji më i bezdisshëm i shtatzënisë së saj të dytë janë aknet në fytyrë, siç ka treguar vetë aktorja në një postim në InstaStory. Almeda ka publikuar një selfie ku tregon se i ka lyer aknet me krem, ndërsa shkruan krahas saj: “Akne gjatë shtatzënisë, ikniiii taniii!” Epo, duket se ia paskan sjellë në majë të hundës, por shtatzënia i ka këto!