Informacionet e fundit nga selia e gjigandit “Facebook” tregojnë se kanë zvogëluar numrin e shërbimeve që ofron në Evropë në aplikacionet Messenger dhe Instagram, për t’u siguruar se po vepron në përputhje me rregullat e reja të privatësisë, përcjell albinfo .ch Nga 21 dhjetori, aplikacionet për mesazhe do të bien nën rregulloren e re të Bashkimit Evropian. Facebook ka njoftuar se disa mundësi interaktive, sikurse anketat në grupe të mesazheve në Messenger, do të jenë në mesin e opsioneve që do të pamundësohen.

Facebook ka thënë se ende nuk ka publikuar listën e të gjitha mundësive që do të pezullojë në Evropë, sepse të njëjtat do t’i riaktivizojë shpejt sapo të jenë në përputhje me rregulloren evropiane. Mundësitë bazike të kthimit të mesazheve dhe thirrjet do të vazhdojnë të jenë funksionale si në Instagram, ashtu edhe në Facebook. “Ne ende jemi duke përcaktuar mënyrën më të mirë të kthimit të këtyre mundësive. Do të marrë kohë rikrijimi i produkteve në mënyrë që të përdoren njëjtë nga njerëzit dhe të jenë në përputhje me rregulloren e re”, ka thënë Facebook përmes një deklarate. Opsionet që duhet rikrijuar do të çaktivizohen në Evropë në disa faza, andaj disa njerëz do të mund t’i përdorin ato edhe për disa ditë.