Nga Alfred Peza/
Përtej përcaktimeve si viti më i keq në histori, si më i vështiri për këtë brez të njerëzimit e kështu me radhë, 2020 mbi të gjitha i rezistoi dy viruseve. Virusi i parë dihet që është covid-19 që shkaktoi pandeminë globale, duke sjellë një katastrofë shëndetësore të pashembullt në 100 vitet e fundit, me pasoja të jashtëzakonshme mbi ekonominë dhe jetën sociale e shoqërore. I dyti është virusi i demokracisë që vuri në provën e zjarrit rendin global, sistemin demokratik perendimor, institucionet në Kosovë dhe aftësinë e shtetformimit modern në Shqipëri.
Nëse për virusin e parë flitet 24 orë në 24, nga të gjithë, për shkak të ndikimit që ajo ka sjellë në jetën e gjithkujt, për virisun e dytë ende nuk ka një bilanc. Nuk ka një analizë të thellë e shteruese. Të tillë që të na bëjë të kuptojmë më mirë, se çfarë po ndodh me demokracinë amerikane pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit dhe pasojat e saj, në sistemin demokratik global. Po efektet që pritet të sjellë arritja e marrëveshjes historike tregëtare mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian dhe pasojave të saj në kontinentin tonë por jo vetëm, cilat janë?
E për të ardhur tek zhvillimet e jashtëzakonshme në Kosovë, nisur nga procesi në Gjykatën Speciale të Hagës për ish drejtuesit kryesor të UÇK që kanë qenë prej 20 vjetësh edhe lojtarët kryesorë të lojës politike në Prishtinë. E sëfundi, vendimi i Gjykatës Kushtetuese që po e çon vendin drejt zgjedhjeve të parakohëshme duke e lënë Kosovën pa Qeveri, pa President e pa Parlament. Ndërsa në Shqipëri, virusi i demokracisë i bëri një skaner gjatë këtij viti, sistemit tonë politik dhe aftësive të saj për të gjetur zgjidhje për reformën zgjedhore dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
Të dyja këto prova u kaluan me sukses, falë vullnetit të mazhorancës socialiste në bashkëpunim me aleatët tanë strategjikë SHBA dhe BE, për të rikthyer fillimisht në sistemin politik e demokratik të vendit opozitën kryesore në vend. Tryezë e Këshillit Politik, ishte një deriçkë nga ku PD dhe LSI, u rifutën në lojën institucionale për të lënë pas gabimin fatal të 2019 me djegien e mandateve të deputetëve dhe bojkotit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Pas kësaj, opozita mori të gjitha garancitë që kërkoi, në lidhje me zhvillimin e një procesi të lirë, demokratik dhe me standardet më të mira për zgjedhjet e reja parlamentare të 25 prillit 2021. Për herë të parë pas 2013 Lulzim Basha dhe Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk mund të përdorin më këtë çështje si sebep për tu ankuar paradhënie për zgjedhjet e radhës. Apo, për ta përdorur atë nesër pas tyre, si alibi për humbjen.
Një nga kryesfidat e dy mandateve qeverisëse të Partisë Socialiste ka qenë realizimi i kryereformës së këtyre tri dekadave të fundit në Shqipërinë post komuniste: Reforma në Drejtësi. Një reformë e jashtëzakonshme për nga “radikaliteti” dhe kompleksiteti në kohë e hapësirë i operacionit për shëmbjen dhe pastrimit të kolonës më të kalbur të shtetit përmes zëvendësimit të saj brenda 4 viteve, me sistemin e institucioneve të reja të pushtetit të drejtësisë. Sistemi i vettingut nxorrën jashtë, një numër të pamenduar deri dje gjyqtarësh dhe prokurorësh, duke marë zyrtarisht të pandehur edhe ish Kryeprokurorin e Republikës Adriatik Llalla.
Kurorëzimi i këtij suksesi, erdhi me ngritjen dhe bërjen funksionale, edhe të Gjykatës Kushtetuese të vendit duke i hapur rrugën konferencës së parë ndërqeveritare për integrimin në BE. Tregues ky se trupi i Shqipërisë, e ka marë tashmë vaksinën efikase, për të luftuar virusin që tentoi të infektonte e të vinte poshtë sistemin tonë demokratik. Bashkë me pritjen e ardhjes sëshpejti edhe në vendin tonë, të vaksinës kundër covid-19 që do të na çlirojë nga virusi vr asës, bilanci i një viti të vështirë 2020, i hap rrugën në këtë mënyrë një prespektive të re tejet optimiste për vitin 2021. Jo vetëm për njerëzimin, por edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, kudo që ndodhen.