Teksa vendi vazhdon përballjen me pandeminë Covid-19, policia ka gjobitur edhe gjatë 24 orëve të fundit, qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maska mbrojtëse, saktësisht 571, ndërkohë që 5 nuk zbatuan vetëkarantinimin e detyrueshëm dhe 8 të tjerë lëvizën në këmbë pas orës 22:00.
“Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 571 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse. Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë”, shkruhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Më tej thuhet: “Në vijim të kontrolleve për zbatimin e vetëkarantinimit të detyrueshëm nga shtetasit e infektuar me COVID-19, janë evidentuar 5 shtetas që kanë shkelur rregullat e vetëkarantinimit, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë secili. Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 18 qytetarë që lëviznin në rrugë pas orës 22:00, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili. Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave antiCovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat antiCovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00”.