Në 24 orët e fundit Policia e Shtetit ka ndëshkuar me masë administrative 361 qytetarë, të cilët nuk zbatuan masat anticovid. Sipas policisë, 335 prej tyre janë ndëshkuar për mosvendosjen e maskës mbrojtëse, 23 për mosrespektimin e orarit të lejuar të lëvizjes dhe 3 për ushtrim aktiviteti në kundërshtim me protokollet e sigurisë.
Policia thotë se krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
“Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 335 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 4 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 3 subjekte në të cilët ushtrohej aktiviteti në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 23 qytetarë që lëviznin në rrugë pas orës 20:30, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili”, thotë policia. Policia apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat anticovid.