Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka kërkuar Kuvendit vazhdimin e gjendjes së krizës në këtë shtet edhe për gjashtë muaj. Ky vendim vjen për përballjen sa më efikase me pandeminë dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
Qeveria vendimin e miratoi me kërkesë Komitetit Drejtues të Krizave, organ ky që po menaxhon me situatën pas shpalljes së gjendjes së krizës më 20 nëntor, në kohëzgjatje prej 30 ditës. Kërkesa e qeverisë duhet të votohet nga Kuvendi më së voni deri më 19 dhjetor.
Në situatë të gjendjes së krizës, shteti menaxhon si me sektorin publik ashtu edhe atë privat. Burimet teknike dhe njerëzore mund të përdoren, përfshirë Ushtrinë. Aktualisht rreth 200 trupa ushtarake janë vendosur për të siguruar spitalet e Qendrave COVID. Mjekët ushtarakë gjithashtu janë të angazhuar në trajtimin e pacientëve në qendra spitalore.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se të hënën janë regjistruar 29 viktima të reja me COVID-19 dhe 1.069 persona të infektuar, ndërsa numri i të shëruarve brenda një ditë ka shkuar në 1.242.
Kjo është hera e parë, në tre muajt e fundit, që numri i të shëruarve është më i madh se i të infektuarve. Në Klinikën Infektive dhe qendrat tjera spitalore janë duke u trajtuar mbi 1.300 persona, shumë prej të cilëve në oksigjeno terapi. Nga Ministria e Shëndetësisë, më parë kanë thënë se masat që janë në fuqi kanë nisur të japin efekte, përkundër shifrës së lartë të atyre që kanë humbur betejën me sëmundjen. Sipas raportit, në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë diagnostikuar 62.945 persona dhe prej tyre 1.792 e kanë humbur jetën, 40.188 janë shëruar ndërsa 20.964 janë raste aktive.