Nga Ben Andoni
Historiani dhe ish-deputeti Romeo Gurakuqi zgjodhi fundvitin për të reaguar ashpër për komisionin, i cili përzgjodhi kandidaturat e Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme. Me justifikimin e drejtë se nuk kishte marrë përgjigjen e duhur për përjashtimin e tij, ai e bëri ankesën e tij publike. Por, me një gabim jo të vogël taktik, kur i cilësoi me disa nga atributet e kaluara, anëtarët e Komisionit Vlerësues.
Në momentin ku është në fuqi një komision dhe ti futesh në vlerësimin e tyre, atëherë duhet të presësh dhe verdiktin, cilido qoftë ai. Kjo e fundit mund të jetë e hidhur, krejt e papranueshme, por gjithsesi, ke qenë pjesë e procesit. Që e kaluara nuk bën krenar shumë nga personazhet tona, kjo nuk është një gjë e re, por përdorja është e tejkaluar, nëse t’i ke qenë pjesë e këtij formacioni politik. Rasti ynë ka ngjashmëri me atë që lidhet me përballjet e personazheve tona.
Jozefina Topalli, e para grua e këtij formacioni, që pati postet më të larta në vend, nuk i shpëtoi dot po ashtu anatemës për kryetarin aktual të PD-së dhe mënyrën sesi ai po e drejton kauzën e tij për të drejtuar vendin. Edhe asaj, njësoj si Romeos, iu turrën shumë personazhe, disa që kanë arritur rangjet më të larta të shtetit tonë. E dhimbshme përdorja e dosjeve dhe loja e ndyrë që kanë bërë PS dhe PD, përgjatë të gjithë kohëve me tw dhënat e tyre.
Kjo nuk i shpëtoi dot të dy personazhet tona, që megjithë kontributin e tyre të ndarë, në nivele të ndryshme, bëjnë pjesë dhe i shtonin një element identitetit të PD-së, që tashmë është bjerrur krejtësisht. E para nga mungesa e koherencës së vlerave që trashëgoi nga PD-ja e dikurshme dhe e dyta nga gjuha e komunikimit, që është bërë kaq e urrejtshme.
Çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen me riciklimin e Jozefina Topallit dhe Romeo Gurakuqit, formacionit të Patosit, në këtë stad që është demokracia shqiptare dhe rruga e PD-së, është luks të përdorësh gjuhën e urrejtjes dhe fantazmat e dosjeve, që i mbani Ju BIGBROTHER-sat për shantazh dhe ku të vjen për të qeshur se ata që kanë qenë në atë sistem të kërcënojnë më shumë. PD-së i duhet çdo mundësi, çdo energji, çdo element ndihës për të riardhur në fuqi. Ndaj, lufta ndaj anëtarëve të saj, ca më tepër ish-deputetëve jo vetëm nuk është normale por ngjan dhe e tepruar.
Kjo edhe duke mos i justifikuar disa nga akuzat që këta të fundit kanë bërë ndaj PD-së. Me pak fjalë, është luks të mbash larg Romeon, Jozefinën, Patosin etj., kur e vetme PD, nuk e merr dot kalanë që ka ngritur Rama and &. Ka një kriter për të ruajtur masën, që trashmë i duhet shumë PD-së, dhe kjo lidhet me dinjitetin dhe sesa individwt e këtij formacioni janë të ndërgjegjshëm. “Dinjiteti nuk konsiston thjesht në pasjen e nderimeve, por në vetëdijen e duhur që ne i meritojmë ato”, shprehej dikur Aristoteli. Ndaj, ish-presidenti dhe të tjerët përpos të tjerave, duhet të kuptojnë se javët po pakësohen, por jo aq sa për t’i bërë vite të qeta drejtimin e vendit Edi Ramës.