Në Libofshë të Fierit, me mbështetjen e programit IPARD është ngritur një tjetër model zhvillimi i fermave të mëdha blegtorale në vend, ku prodhohet qumësht dhe nënprodukte të tij sipas standardeve më të mira. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, zhvilloi vizitën e saj të parë të punës, në fermën blegtorale “Tris Alb” në Libofshë të Fierit, për të parë nga afër sesi po ecën procesi i vaksinimit falas në kafshët bujqësore, për parandalimin e sëmundjes dermatoza nodulare. Ekonomi tha se “me mbështetjen e BE-së, Shërbimi Kombëtar Veterinar shpërndan falas vaksinim për çdo gjedh që kanë fermat në të gjithë territorin e vendit”.

Ministrja shprehu falenderime për ndihmën e BE-së dhe për Shërbimin Veterinar, i cili po asiston falas në të gjithë vendin luftën ndaj sëmundjes së dermatozës nodulare. Në Shqipëri janë 305 mijë krerë gjedh, që po asistohen me këtë vaksinë falas.Duke u ndalur specifikisht në procesin e vaksinimit, Ekonomi tha se “kjo fermë po e bën këtë vaksinë mbi bazën e  një kushti, duke kontrolluar më parë gjedhin nëse ka shenja tuberkulozi e më pas shkon te vaksina. Kjo sepse kalendari i vaksinimit është në njohuri të plotë nga veterineri i fermës, të administratorëve të fermës që duan të rrisin prodhimin e qumështit dhe duan ta kenë atë sa më cilësor”.

Ministrja tha se kjo është një nga fermat që shteti e ka ndihmuar me projektet e Mbështetjes në Bujqësi, nëpërmjet AZHBR dhe programit IPARD II. “Ndaj ky është momenti për t’i bërë apel të gjithë blegtorëve se qeveria është në mbështetje të këtij sektori në hallkë të zinxhirit të prodhimit sipas standardeve më të mira” – u shpreh Ekonomi. Qeveria vijon mbështetjen direkte tek fermerët për mjediset e duhura për përmbushjen e kushteve optimale të garancive për tregun e brendshëm e të huaj falë financimit nga Programi IPARD. Ferma blegtorale “Trisalb”, është shembulli real i kësaj mbështetje, ku është ngritur sistemi i ri teknologjik në dhomën e mjeljes, që është një teknologji amerikane e cila aktualisht nuk gjendet në rajon.

Ky investim është i standardeve europiane dhe është një nga fermat më të mëdha blegtorale në vend. Kontrata që AZHBR ka lidhur me këtë subjekt, përveç pajisjeve, përfshin edhe ndërtimin e dhomës së re të mjeljes. Kjo teknologji do të rrisë produktivitetin e kësaj ferme. Këtu ka 680 lopë dhe synon të shkojë deri në 1000 lopë. Investimi i ri ka rritur kapacitetet e fermës, duke siguruar edhe cilësinë e qumështit që grumbullon. Ndërsa pajisja e re që është blerë me mbështetjen financiare nga IPARD, ka rritur standardet dhe kushtet në fazën e mjeljes. Ndërkohë stalla e fermës në vetvete është financim i një viti më parë nga skema kombëtare e qeverisë shqiptare, ndërsa pajisjet janë financuar nga IPARD.