Lajmi se fundi i vitit 2020 do të shënojë edhe fundin e një prej koncesioneve më të debatuara në Shqipëri që është dhënë nga Qeveria Berisha, atë të shërbimit monopol të kolaudimit të automjeteve, për ish-deputetin, aktualisht aleat i Partisë Demokratike, Dashamir Shehi është një lajm shumë pozitiv.

“Pozitive është. Unë nuk pres mrekullinë por është pozitive sepse një koncesion më pak. Unë i kam konsideruar koncesionet në përgjithësi se janë korruptive, si ato të qeverisë së vjetër, si ky i kolaudimit, si ato të Qeverisë aktuale. Nga shërbimi do të përfitojnë qytetarët. Por ndoshta edhe kjo si ndërmarrje shtetërore nuk është çudi që të bjerë në korrupsion siç kthehen institucionet shtetërore në Shqipëri. Është pozitive sepse nuk po rinovohet një koncesion. Po krijohet idea se çdo koncesion duhet t’i nënshtrohet një debati politik. Dhe kjo do ta bëjë të mendojnë shqiptarët se shiko si u mburrur kjo Qeveri se u mbyll koncesioni mirëpo koncesionet e rrugëve i kanë marrë miliarda shqiptarëve. Ndaj siç kanë bërë mirë që nuk e kanë rinovuar këtë koncesion ne duhet të dyshojmë në mënyrë permanente në çdo koncesion”, tha Shehi.

Kujtojmë se nga Ministria e Infrastrukturës konfirmuan që para pak ditësh se me përfundimin e afatit të koncesionit për kontrollin teknik të mjeteve, ky shërbim do ti kalojë DPSHTRR-së. Ky shërbim ishte monopol, i konsideruar si korruptiv nga socialistët që kur ishin në opozitë.

DPSHTRR ka nënvizuar se kalimi i kontrollit nën kompetencën e tyre do të ulë kostot për qytetarët, por nuk dihet se sa do të rëndojë kostoja e mbikëqyrjes në faturën që do të paguajë çdo drejtues mjeti për kolaudimin e makinës. Ndërkohë që Kryeministri Rama njoftoi sot se rregulla të reja do të aplikohen nga 1 janari për Kontrollin Teknik të Mjeteve Rrugore.