Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Fier ofron tashmë një pamje krejtësisht tjetër, duke siguruar kushte dhe mjedise dinjitoze për punonjësit dhe qytetarët të cilët paraqiten pranë saj për të marrë shërbimet e nevojshme. Me investimin e realizuar është bërë i mundur krijimi i ambienteve të reja për sallën e lejeve të drejtimit, me 10 poste shërbimi, ambiente të reja sa i takon klasës ku zhvillohen testimet dhe një sërë hapësirash të tjera të brendshme. Ndërhyrje rikonstruktuese janë realizuar edhe në pjesën tjetër të godinës ndërkohë që është bërë e mundur edhe rikonceptimi i pamjes së godinës me qëllim unifikimin e fasadës, si dhe rikonceptimi i sheshit përpara kësaj drejtorie.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja inspektuan investimin e realizuar në DRSHTRR Fier. Ndërhyrjet e realizuara, tha Gonxhja, kanë qenë të domosdoshme për t’ju përgjigjur volumit të punës që kryen kjo drejtori, e cila është e treta në vend për nga numri i shërbimeve që ofron.
“Ofrohen rreth 175 mijë shërbime, është drejtoria e tretë në rang vendi. Ne kemi bërë një shtesë, rreth 250 metra katrorë ndërtim i ri, ku liruam arkivat, sepse rrezikonte të shembte dhe godinën për shkak të volumit. Tani kemi një sallë të re të testimit, e cila i përgjigjet edhe sistemeve të reja që kemi implementuar”, u shpreh Gonxhja. Sipas tij po punohet për kalimin e një sërë shërbimesh të tjera online, si dhe për implementimin e sistemit E-DPSHTRR, i cili është sistemi i regjistrimit të mjeteve dhe taksave së bashku dhe që është në fazë testimi. Ministrja Balluku theksoi se përmirësimi i cilësisë së shërbimit që ju ofrohet qytetarëve, tashmë është një fakt i dukshëm, pasi janë eliminuar radhët e pritjes si dhe është ulur ndjeshëm koha e pritjes për qytetarët.
“Ne e kemi nisur këtë punë para dy vitesh dhe kemi ndryshuar konceptin e operimit në drejtoritë rajonale, por dhe në atë qendrore. Kemi arritur që të vendosim limite kohore për dorëzimin e çdo produkti që del nga kjo drejtori dhe çfarë është më e rëndësishmja, DPSHTRR është kthyer sot në një model për të gjitha drejtoritë e tjera dhe për të gjitha entet e tjera shtetërore, përsa i përket kohës së shkurtër të përgjigjes ndaj qytetarëve dhe cilësisë së shërbimit”, nënvizoi Balluku. Investimet për përmirësimin e infrastrukturës së godinave, shtoi Balluku, bëjnë të mundur jo vetëm që punonjësit të kenë kushte më të mira pune për të ushtruar detyrën e tyre, por edhe qytetarët, të cilët paraqiten pranë këtyre zyrave të mund të kenë mjedise më dinjitoze.
“Padyshim dhe ne kemi raste të cilat duhen përmirësuar. Nuk kemi përfunduar misionin tonë, kemi shumë punë përpara, ndaj dhe sot Qeveria Rama ka të gjithë të drejtën për të kërkuar një mandat të tretë dhe për t’i treguar qytetarëve se çfarë kemi bërë në këto dy mandate dhe çfarë do bëjmë në mandatin e tretë. Kemi punë përpara, kemi shumë për të sistemuar dhe për të rregulluar”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjendja e godinës së DRSHTRR Fier përpara investimit të kryer ishte mjaft problematike, ku evidentohej amortizim i theksuar i godinës si dhe mungesë e mjediseve të përshtatshme për të ushtruar aktivitetin si dhe për t’ju ofruar shërbimin e duhur qytetarëve.