Milani po bën një rrugëtim perfekt në kampionat dhe ka arritur të grumbullojë 26 pikë në 10 javët e para, duke kryesuar me 4 pikë para vendit të dytë dhe duke dhënë nga java në javë konfirmime se është një kandidate serioze për titullin kampion të këtij sezoni. Trajneri i kuqezinjve Stefano Pioli ka dhënë një intervistë për mediat italiane, ku ka pranuar se skuadra po bën shumë mirë në fushën e lojës, por theksoi se është ende herët për të folur për titullin kampion, pasi është luajtur vetëm çereku i kampionatit.
“Duhet të jemi të ekuilibruar dhe inteligjentë, pasi sezonin e kaluar e mbyllëm kampionatin 12 pikë larg zonës Champions dhe 17 larg Juventusit fitues. Po bëjmë shumë mirë në fushë dhe jemi rritur, por janë luajtur vetëm 10 javë dhe është shumë herët të mendosh për titullin kampion. Duhet të kemi kurajon të vazhdojmë procesin e rritjes dhe të japim maksimumin në fushë, për të grumbulluar sa më shumë pikë. Më pas në prill të bëjmë llogaritë dhe të shohim se deri ku mund të shkojmë”, u shpreh trajneri i Milanit.
Veterani suedez Zlatan Ibrahimovic ka luajtur një rol thelbësor në rilindjen e Milanit, pasi që prej ardhjes së tij, kuqezinjtë kanë njohur vetëm rritje, gjë që e pranon edhe vetë trajneri Pioli, i cili shton se tani skuadra ka mësuar të luajë edhe pa 39-vjeçarin në fushë. Skuadra është e vetëdijshme për cilësitë e saj dhe tani i ka të qarta edhe konceptet e lojës. Thënë këtë, të gjithë e dimë se sa e rëndësishme ka qenë prezenca e Zlatanit për rritjen e grupit dhe sa na ka ndihmuar në fushën e lojës. Megjithatë kemi edhe alternativa të tjera për të shfrytëzuar, kur nuk luan Ibra”, u shpreh Pioli.