Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, presidenti Ilir Meta i bën thirrje Qeverisë, veçanërisht Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që në aktet ligjore e nënligjore, “të mbajnë parasysh nenin 11 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, të ratifikuar nga shteti shqiptar, që përcakton qartë detyrimet për mënyrën e trajtimit të kësaj kategorie në raste emergjence apo fatkeqësie”. Sipas kreut të shtetit, pndemia COVID-19 “ka thelluar akoma më shumë pabarazitë, që ekzistonin më parë, duke bërë që Personat me Aftësi të Kufizuara të ekspozohen më shumë ndaj problematikave dhe rreziqeve të shtuara në këtë periudhë”.
Postimi i plote i Metes: Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara na ndërgjegjëson sot për të nxitur promovimin e pjesëmarrjes së plotë dhe të barabartë të tyre në jetën ekonomike, sociale, kulturore e politike, si dhe për të ndërmarrë veprime konkrete për përfshirjen e tyre në çdo aspekt të zhvillimit të vendit. Pandemia COVID-19 ka thelluar akoma më shumë pabarazitë, që ekzistonin më parë, duke bërë që Personat me Aftësi të Kufizuara të ekspozohen më shumë ndaj problematikave dhe rreziqeve të shtuara në këtë periudhë.
Edhe në kushte normale, Personat me Aftësi të Kufizuar kanë patur më pak mundësi për akses në sistemin shëndetësor, në shkollim apo në punësim, ndërkohë që në kushtet e pandemisë, kjo situatë përkeqësohet shumë më tepër. I bëj thirrje Qeverisë, veçanërisht Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që në aktet ligjore e nënligjore, të mbajnë parasysh nenin 11 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, të ratifikuar nga shteti shqiptar, që përcakton qartë detyrimet për mënyrën e trajtimit të kësaj kategorie në raste emergjence apo fatkeqësie.
Realizimi i plotë i të drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara është pjesë thelbësore, e pandashme dhe e pamohueshme e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.