Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin do të marrë vaksinën Sputnik V kundër koronavirusit. Kështu ka njoftuar ditën e sotme zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov një kanali televiziv shtetëror rus.

“Putin tha se do të vaksinohet. Ai e mori këtë vendim dhe po pret që të përfundojnë të gjitha formalitetet,” u citua zëdhënësi, raporton “Reuters”. Rusia filloi një program vaksinimi vullnetar me vaksinën Sputnik V të bërë nga vetë ky shtet, në fillim të dhjetorit, duke filluar me grupet më të prekshme në Moskë. Njerëzit mbi moshën 60 vjeç mund të fillojnë të vaksinohen, tha kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin. Ky lajmërim erdhi një ditë pasi Ministria ruse e Shëndetësisë tha se vaksina ishte aprovuar për përdorim nga të moshuarit.

68-vjeçari Putin tha më parë se vaksina ruse ishte efektive dhe e sigurt dhe ai nuk pa asnjë arsye për të mos u vaksinuar. Që nga fillimi i shpërthimit të koronavirusit në Rusi, Putini ka punuar kryesisht në distancë, ka mbajtur takime përmes videove, ndërsa udhëtimet kanë qenë të kufizuara. Ai tha në gusht se një nga vajzat e tij kishte marrë pjesë në provën klinike të vaksinës dhe u ndje mirë më pas.