Të gjithë tatimpaguesit, të cilët për vitin 2020 kanë realizuar një qarkullim vjetor më të vogël se 10 milionë lekë nga data 1 janar nuk kanë më detyrim për të deklaruar dhe paguar TVSH.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi biznesin mbi procedurën që do të ndiqet për zbatimin e pragut të ri të TVSH-së, pasi prej datës 1 janar 2021, hyn në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili ndryshon fashën e tatimpaguesve, që kanë detyrim për të deklaruar dhe paguar TVSH.

Për tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar qarkullim me te vogel se 10 milionë lekë për vitin e plotë kalendarik 2020, Tatimet informojnë se do të kryhet çregjistrimi automatik i përgjegjësisë tatimore TVSH.

Çregjistrimi nuk do të kryhet në mënyrë automatike për tatimpaguesit, të cilët gjatë vitit 2020 kanë kryer të paktën një import.

Këta tatimpagues do të vijojnë të jenë pjesë e skemës së TVSH-së dhe nëse më parë kanë kryer deklarim dhe pagesë 3-mujore të TVSH, prej periudhës janar 2021, do të vijojnë me bazë mujore, brenda datës 14 të muajit pasardhës, dorëzimin e deklaratave, librave të shitjes dhe blerjes si dhe të pagesën e TVSH.

Po ashtu çregjistrimi nuk do të kryhet automatikisht as për tatimpaguesit që në datë 31.12.2020 rezultojnë me status pasiv. Për këtë kategori tatimpaguesish çregjistrimi nga përgjegjësia e TVSH-së apo përditësimi i saj do të kryhen me procedura të përcaktuara kur tatimpaguesi të aktivizohet.

Për tatimpaguesit, që gjatë vitit 2020 kanë realizuar qarkullim vjetor 5 deri ne 10 milionë lekë dhe nuk kanë kryer asnjë import do të zbatohet e drejta për regjistrim të përgjegjësisë së TVSH, sipas deklarimit të tyre vullnetar:

Tatimpaguesi me anë të një njoftimi pop-up dhe në menunë njoftime e mia në në e-filing do të ftohet të deklarojë vendimin e tij në lidhje me zbatimin e të drejtës për të qenë ose jo pjesë skemës së TVSH-së.

Ky vendim do të shprehet në menunë Çështjet e mia,në listën e varur “Lloji i çështjes”, të zgjidhni “Deklarimi për përgjegjësinë tatimore TVSH”. Kjo ju jep mundësinë që të zgjedhë midis dy opsioneve që do t’i shfaqen: PO, nëse kërkoni të jeni të regjistruar për TVSH-në ose JO nëse nuk do të vijoni të jeni i regjistruar për këtë përgjegjësi

Në bazë të Vendimit të Qeverisë, tatimpaguesit ekzistues, të cilët për vitin 2020 kanë realizuar një qarkullim vjetor me te madh ose baraz me 10 milionë lekë, kanë detyrim për të deklaruar dhe paguar TVSH.

Pavarësisht nëse tatimpaguesi është i regjistruar për Tatim mbi Fitimin (TF) apo Tatim të Thjeshtuar mbi Fitimin (TTHF) deklarimi dhe pagesa e TVSH do të jetë me bazë mujore dhe duhet të kryhet brenda datës 14 të muajit që pason periudhën e raportimit. Ndërsa deklarimi i librave të shitjes dhe blerjes do të jetë mujor, me afat brenda datës 10 të muajit vijues përkatës.