Policia e Shtetit njofton se gjatë katër ditëve të fundit janë ndëshkuar me masë administrative 16 qytetarë, që u konstatuan duke lëvizur në këmbë pas orës 22:00. Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Si rezultat kontrolleve, gjatë 4 ditëve që lamë pas, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1552 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse. Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, një subjekt (lokal) në ambientet e të cilit nuk respektoheshin protokollet e sigurisë.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 27 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë. Gjithashtu, gjatë kontrolleve në këto katër ditë, pas orës 22:00 janë konstatuar 16 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.