Nëse ka diçka të re që ka zbuluar momenti i bllokimit të pronave dhe marja si i pandehur i Adriatik Llallës nga SPAK, ai lidhet me nxjerrjen zbuluar në dritë të diellit, të raporteve të tij okulte me opozitën. Falë edhe presionit publik amerikan, simboli më përfaqësues i drejtësisë së vjetër shqiptare, u bë edhe Çështja Nr. 1 e drejtësisë së re. Vetëm tani, kuptohet më qartë se përse Prokuroria e Përgjithëshme e drejtësisë së vjetër, ishte shndërruar në seksionin e akuzës të drejtuesve të pushtetit të djeshëm dhe opozitës së sotme, kundër armiqve të tyre politikë. E thënë ndryshe, Adriatik Llalla ishte për ata që e emëruan atë politikisht, jo përfaqësuesi i akuzës në emër të shtetit, por “kryetari i njësitit gueril” për ti bërë atentate politike me mjete juridike, kundërshtarëve të tyre.

Kjo është arsyeja se përse “Opozita e Bashkuar”, nuk e pa kur “peshku i madh” i drejtësisë së re, hyri në rrjetën e saj. Kjo është arsyeja se përse as propaganda opozitare, as mediat pranë saj dhe as gazetarët e lidhur me të, nuk e raportuan lajmin. Një zhvillim ky aq i bujshëm, sa në rrethana të kundërta politike me ato aktualet dhe për një emër tjetër nga ai i Adriatik Llallës, do të trondisnin nga themelet edhe shtetin, edhe miletin. Ata që deri dje mbronin publikisht në emër të “profesionalizmit” dhe “pavarësisë” linjën politike të drejtuesve të organit të akuzës, sot nuk kanë as mundësinë, as guximin dhe as kurajon qoftë edhe ta raportojnë lajmin. E jo më të mbajnë qëndrim, siç bëjnë për çdo zhvillim të tjetër rëndomtë, normal apo të bujshëm në fushën e drejtësisë, apo rreth lajmeve që prekin rendin dhe sigurinë publike. Ndaj as nuk folën, as nuk komentuan, as nuk analizuan dhe as nuk zhvilluan asnjë emision televiziv me këtë temë.

Imagjinoni se çdo të kishte ndodhur në mediat e çdo vendi tjetër me demokraci normale, nëse për herë të parë në historinë e atij shteti, do ishte marë zyrtarisht i pandehur ish Prokurori i Përgjithshëm i asaj Republike. E mbi të gjitha, nëse ai do të akuzohej për një varg të pafund akuzash nga më të rëndat dhe ti ishin sekuestruar ndërkohë, një listë e pafund pronash e pasurish marramendëse. Megjithatë jetojmë në Shqipëri, ndaj asgjë për tu habitur, por thjeshtë për të kuptuar disa të vërteta të thjeshta.

Mjafton të shohësh kush hesht për Adriatik Llallën, për të kuptuar sesa profesionale dhe e pavarur është media jonë. Mjafton të mbyllësh gojën për ish Prokurorin e Përgjithshëm, për të kuptuar se kush e kontrollon në të vërtetë median në Shqipëri.
Mjafton që as mos skuqesh e as mos zverdhesh nga kjo heshtje akuzuese, për të kuptuar se çfarë raporti kanë liderët e opozitës sonë me Adriatik Llallën dhe përse e emëruan në krye të Prokurorisë së Përgjithëshme.

Lajmi i mirë pas këtij lajmi të keq është, se rënia e peshkut të parë të madh, në rrjetën e drejtësisë së re ka hapur udhën për pjesën tjetër të tufës. Kjo edhe i frikëson me sa duket në palcë, të gjithë ata liderë politikë që e komandonin atë dje, e që shohin tek fati i sotëm i Adriatik Llallës, të nesërmen e tyre. Ndaj, nuk kanë faj as propaganda e opozitës, as mediat pranë tyre dhe as gazetarët, opinionistët dhe drejtuesit e emisioneve të debatit televiziv që nuk meren me çështjen e ish Kryeprokurorit. Sepse tek e fundit, ata thjeshtë përmes kësaj çështje, sa i dëshmuan opinionit publik se në anën e kujt janë dhe se sa realisht e do kjo opozitë, ecurinë e reformës së re në drejtësi.

Alpenews.al