Kryeministri Edi Rama ndau sot dëshminë e pedagogut Altin Gjevori, profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës, një tjetër pacient i kuruar në spitalin COVID 1, i cili vijon tashmë normalisht jetën.

“Para dy muajsh u sëmura me COVID. E ndjeva të domosdoshme të shtrohesha në spital, pasi mu bllokua 80% e mushkërisë dhe duhej të merrja shërbim më të specializuar në spital, sesa të qëndroja në shtëpi. U shtrova me urgjencë në spitalin COVID 1. Që në momentin e parë pasi më bënë analizat më shtruan në reanimacion, ku u ndoqa nga doktor Edmond Puca. Gjendja ime filloi të përmirësohej dukshëm pas 4-5 ditësh”, – tha Gjevori. Profesor Gjevori shpreh mirënjohjen për të gjitha ata që i shërbyen duke filluar nga mjekët që sipas tij, ishin shumë të kujdesshëm, të sjellshëm dhe profesionistë.

“Fatkeqësisht nuk i njoh për fytyrë sepse gjatë gjithë kohës ishin të mbrojtur me maskë, por dua tu shpreh mirënjohjen time të pafund”, – tha Gjevori. “Pavarësisht kushteve të mira në shtëpi ambienti më i sigurtë për mua ishte spitali, në momentin që u përmirësova doja të qëndroja e pak më gjatë se më dukej sikur nëse do dilja nga spitali nuk do isha i sigurtë. Aty brenda ndjehesha vërtet shumë i sigurtë nën kujdesin e mjekëve që i falënderoj pa masë dhe u jam mirënjohës për atë që bënë për mua”, – shprehet ai.

Gjevori thekson se “nuk është se e ndjeva veten të privilegjuar, i njëjti kujdes ishte edhe për shokun tim të dhomës, por besoj edhe për njerëzit e tjerë. Jo vetëm nga mjekët, por edhe infermierët, edhe sanitarët”. Profesor Gjevori i bën apel të gjithëve që të kujdesen për veten, por edhe për njëri-tjetrin.