Jurgen Klopp ka thënë se nuk kishte mundur të besonte se Jose Mourinho e kishte me gjithë mend kur i kishte thënë se Tottenhami luajti më mirë se Liverpooli, përkundër humbjes 2:1 ndaj të kuqve. Goli me kokë i Roberto Firminos në minutën e 90-të ia fitoi të kuqve ndeshjen dramatike në Anfield, të cilët e kishin shënuar të parët përmes Mohamed Salah në pjesën e parë para se Son Heung-Min ta barazonte rezultat pak minuta më vonë.
Tottenhami për pak sa nuk e shënoi golin e epërsisë në pjesën e dytë, por Harry Kane dhe Steven Bergwijn humbën mundësi të arta. Humbja e atyre rasteve i kushtoi shtrenjtë skuadrës londineze dhe Mourinho mendon se ekipi i tij meritoi më shumë në Anfield, edhe pse e mbajti vetëm 24% të posedimit të topit dhe i pati vetëm dy goditje në kornizën e portës krahasuar me 11 të Liverpoolit.
Mourinho bisedoi me homologun e vet gjerman pas përfundimit të ndeshjes. Kur u pyet se për çfarë biseduan, portugezi tha: “I thashë atij (Kloppit) ekipi më i mirë humbi dhe ai s’u pajtua, por ai është mendimi i tij”. Klopp, duke reaguar ndaj deklaratave të Mourinhos, tha për BBC Radio 5 Live: “Ai nuk ishte i lumtur sepse më tha se ekipi më i mirë humbi – unë mendoja se ai po bënte shaka. Por nuk ishte ashtu. Kaq.”