Nxënës dhe mësues janë rikthyer në shkollën e rilindur “Xhelal Shtufi” në Shkafanë të Durrësit pas shkatërrimit të saj nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit. Kryeministri Edi Rama e vizitoi sot këtë shkollë, nga ku tha se angazhimi i qeverisë për t’a kthyer tragjedinë e 26 nëntorit në një mundësi të re për fëmijët e mësuesit është realitet. “Sapo ka hapur dyert edhe shkolla “Xhelal Shtufi” në Shkafanë, bashkia Durrës, ku është bërë realitet angazhimi për t’a kthyer tragjedinë në një mundësi të re për fëmijët e mësuesit”, deklaroi Rama.

Në shkollën 9-vjeçare “Xhelal Shtufi”, e cila ka edhe kopsht janë 15 klasa ku mësojnë 177 nxënës, ndërsa 56 fëmijë ndjekin kopshtin. Shkolla po ashtu është e pajisur edhe me palestër dhe qendrën e infermierisë. Kryeministri teksa vizitoi palestrën e shkollës kërkoi një angazhim më të madh të mësuesve për ta bërë më të dashur sportin për fëmijët. Ai ndau edhe disa momente nga koha kur ushtronte sport, ku theksoi se edhe pse ishte i angazhuar në grupin e gjysmëprofesionistëve kushtet e palestrave ku duhej të stërvitej ishin mjaft të vështira.

“Kur ishte i zënë stadiumi “Asllan Rusi” shkonim në palestrën që ndodhej pranë “Korpusit” dhe ambienti ishte sa gjysma e kësaj palestre që keni ju sot. Mbetet detyrë e juaja për t’ua futur në gjak sportin fëmijëve, pasi kushtet i keni”, tha Rama.