Arsenali ringjallet dhe kthehet më në fund te fitorja në Premier League pas 8 raundeve. Dhe këtë e bën në derbin londinez me Chelsea-n, të cilin e mundi me rezultatin 3-1 duke marrë 3 pikë shumë të çmuara. Deri në minutën e 34-t po zhvillohej një ndeshje e qetë mes skuadrave, me Arsenalin që në atë moment fitoi një 11 metërsh me Tierney pas një faulli të James. Lacazette nuk gaboi nga pika e bardhë dhe Arsenali mori kryesimin në 1-0. Pas 10 minutash, Granit Xhaka që prej kohësh është vënë në shënjestrën e kritikave të ashpra në Angli me një goditje dënimi shënoi golin e dytë për Topçinjtë e Londrës. Në fillimin e pjesës së dytë, Saka e çoi në 3-0 rezultatin në favor të Arsenalit që pati mundësi të tjera për të thelluar akoma më shumë rezultatin.

Në minutat e fundit Chelsea shkurton në 3-1 me Abraham, ndërkohë që Jorginho menjëherë [as golit humbi një 11 metërsh për ta çuar rezultatin në 3-2 që do të ndizte lojën në minutat e mbetura. Në fund rezultati mbeti 3-1 me Arsenalin që shkon në 17 pikë. Fitore shënoi edhe Manchester City ndaj Newcastle me rezultatin 2-0 me Citizens që nuk kishte në dispozicion Walker dhe Gabriel Jesus të prekur nga Covid. Skuadra e Guardiolës e mori avantazhin në minutën e 14 me Gundogan, ndërkohë që Ferram Torres në minutën e 55 shënoi edhe golin e dytë për Manchester City që tani është vetëm 1 pikë larg vendit të katërt të mbajtur nga Manchester United. Everton vuajti por arriti të mposhtë Sheffield United me rezultatin 1-0 për t’i marrë vendin e dytë të klasifikimit Leicesterit që barazoi 2-2 me Manchester United.

Njeriu i ndeshjes në Bramall Lane për skuadrën e drejtuar nga Carlo Ancelotti u bë Sigurdsson autori i golit të fitores për Evertonin kur kishin mbetur 10 minuta nga fundi i sfidës. Pas kësaj për skuadrën nga Liverpool nuk ishte e vështirë administrimi i rezultatit deri në fundin e sfidës që i dha mundësinë të regjistrojë fitoren e 4-t radhazi në kampionat.