Cristiano Ronaldo ka këmbëngulur se nuk e ka shikuar asnjëherë Lionel Messin si rival, pas fitores bindëse të Juventusit kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve të martën. Ronaldo i shënoi dy gola nga pika e bardhë dhe Weton McKennie shënoi po ashtu, për t’i ndihmuar Juventusit ta mundë 3:0 Barçën në Camp Nou dhe për ta fituar vendin e parë në Grupin G, transmeton Gazeta Express. Messi i kishte 11 goditje – shtatë prej të cilave në kornizën e portës, ndërkohë që Ronaldo i shfrytëzoi dy mundësitë e veta nga penalltia në përballjen e tyre të parë që prej vitit 2018, kur portugezi u largua nga Real Madridi.

Ronaldo, i cili u përqafua shkurtimisht me Messin para ndeshjes, tha se nuk ka rivalitet mes dy lojtarëve më të mëdhenj në futboll. Unë gjithmonë kam pasur marrëdhënie miqësore me të. Me të i ndava 12, 13 apo 14 vjet nëpër ceremonitë e ndarjes së çmimeve. Kurrë nuk e kam shikuar si rival”, tha Ronaldo pas ndeshjes.

“Ai gjithmonë përpiqet ta bëjë më të mirën për ekipin e vet, njëlloj si unë. Gjithmonë kam kaluar mirë me të. Por ne e dimë se në futboll kërkohet rivaliteti për shtypin dhe për të bërë shou, por unë gjithmonë kam kaluar mirë me të”, nënvizoi portugezi.