Eksportet shqiptare shënuan një rritje prej 10.5 % në nëntor në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më pare, duke arritur vlerën e 27 miliardë lekëve. INSTAT publikoi sot raportin e tregtisë së jashtme për 11-mujorin, sipas të cilit ndikimin kryesor në rritjen e eksportit të mallrave e dhanë makineritë dhe pjesët e këmbimit pas zgjerimit të industrisë industria automotive.
“Rritja vjetore e eksporteve prej 10,5 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet “makineri, paisje, pjesë këmbimi” me 4,3 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me 3,5 pikë përqindje, dhe grupi “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 2,4 pikë përqindje”, thuhet në raportin e INSTAT. Në uljen vjetore të eksporteve kanë ndikuar grupet “tekstile dhe këpucë” me 1,4 pikë përqindje, “lëkurë dhe artikuj prej tyre” me 0,3 pikë përqindje, dhe “produkte kimike dhe plastike” me 0,1 pikë përqindje.
Referuar të dhënave, importet e mallrave arritën vlerën 56 miliardë lekëve, duke u rritur me 5%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur 6,3 %, në krahasim me tetor 2020. Deficiti tregtar i këtij muaji llogaritet 28 miliardë lekë, duke u rritur me 0,2 %, krahasuar me nëntor 2019 dhe duke u ulur me 12,9 %, në krahasim me tetor 2020.