Kur kanë mbetur më pak se shtatë javë nga përfundimi i mandatit të tij katër-vjeçar disa pyetje kanë mbetur ende pa përgjigje mbi Presidentit Donald Trump. A do ta pranojë ai humbjen ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden? Deri më tani, zoti Trump nuk ka bërë asnjë lëshim nga qendrimi i tij dhe as i kërkohet ta bëjë një gjë të tillë. Pranimi i humbjes është thjesht një traditë mirësjelljeje, që shoqëron garat presidenciale, ku pranohet humbja dhe përgëzohet fituesi. Megjithatë zoti Trump nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të pranonte hapur humbjen e zgjedhjeve, edhe pse tashmë zyrtarët në disa shtete kyçe kanë shpallur zotin Biden fitues, duke i hapur rrugën inaugurimit të tij më 20 janar si presidenti i 46-të i SHBA-së. Presidenti Trump vazhdon të pretendojë se zgjedhjet u manipuluan dhe se mandati i dytë, iu vodh. Të mërkurën, ai publikoi një video 46 minutëshe mbushur me pretendime, të cilat janë provuar si të pavërteta, ku fliste për parregullsi në votime si dhe gjatë procesit numërimit të votave dhe ku përpiqej të provonte se ishte ai fituesi i zgjedhjeve. “Kutitë u mbushën plot me vota, pothuajse të gjitha për Biden-in. Dhe deri më sot të gjithë po përpiqen të kuptojnë se nga erdhën ato?!”, shprehej zoti Trump në video.
“Unë kalova nga kryesimi i garës me shumë vota (në orët pas mbylljes së procesit të votimit) në humbjen me një diferencë të ngushtë në ditët që pasuan”, shtonte ai. Pretendimet e Presidentit Trump shpjegohen lehtësisht me faktin se votat e shumta të dërguara me postë në ditët dhe javët para datës së zgjedhjeve, të cilat zoti Trump i ka kritikuar vazhdimisht, kryesisht anuan në favor të zotit Biden dhe u deshën disa ditë për t’i numëruar. Disa shteteve nuk u lejohej të fillonin numërimin e votave me postë deri në mbyllje të qendrave të votimit ditën e zgjedhjeve. Zoti Trump dhe ekipi i tij zgjedhor, i kanë humbur paditë e shumta për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve në shtetet kyçe që votuan në favor të zotit Biden. Në një nga goditjet më të fundit ligjore, Gjykata e Lartë në Uiskonsin refuzoi të enjten të marrë në shqyrtim padinë e ekipit të tij ligjor në një përpjekje për të përmbysur humbjen me 20,000 vota në këtë shtet, duke thënë se çështja fillimisht duhet të shqyrtohej nga një gjykatë më e ulët.
Zgjedhjet presidenciale amerikane vendosen nga Kolegji Zgjedhor. Shtetet më numrin më të madh të popullsisë kanë dhe numrin më të madh të votave elektorale. Zoti Biden gëzon një avantazh prej 306 votash elektorale, i njëjti numër që zoti Trump fitoi në 2016, të cilin ai e shpalli si një fitore “të madhe” ndaj srivales demokrate, Hillary Clinton. Më 3 nëntor zoti Trump arriti të sigurojë 232 vota elektorale. Zoti Biden kryeson gjithashtu edhe për nga numri i votave popullore, me rreth 7 milionë vota më shumë se zoti Trump. Votimi në Kolegjin Zgjedhor bëhet më 14 dhjetor, proces gjatë të cilit pritet që zoti Biden të shpallet zyrtarisht fitues i zgjedhjeve. Më pas Kongresi do të çertifikojë rezultatin e Kolegjit Zgjedhor në fillim të janarit, dy javë përpara betimit të zotit Biden në një ceremoni që do të zhvillohet në krahun perëndimor të Kapitolit. Një tjetër pyetje lidhet me inaugurimin: A do të marrë pjesë zoti Trump në të? Për më shumë se një shekull, çdo president në largim i është përmbajtur traditës dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e betimit të pasardhësit të tij, edhe kur një president ka humbur mandatin e dytë të tij përballë kundërshtarit.
Zoti Trump thotë se e ka marrë vendimin për ditën e inaugurimit por nuk ka pranuar ta bëjë publik, se ku do të jetë atë ditë. Ai po mendon rreth kandidimit të mundshëm për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024. Vetëm një president amerikan e ka bërë këtë deri tani. Grover Cleveland në vitin 1892, pasi i humbi zgjedhjet për mandatin e dytë, rivuri kandidaturën pas 4 vjetësh të tjera, duke fituar dhe shërbyer për jë mandat të dytë katër vjeçar. Zoti Trump po i mban të hapura opsionet. Ai u tha republikanëve gjatë një festë në Shtëpinë e Bardhë këtë javë se: “Kanë qenë katër vite mahnitëse. Po përpiqemi ta bëjmë këtë edhe katër vite të tjera. Përndryshe, shihemi pas katër vitesh”.