Në SHBA, deri në ditën e fundit të dhjetorit, vetëm 2.6 milion amerikanë kanë marrë vaksinën për COVID-19, duke bërë që vendi të mbetej larg objektivit të qeverisë për të vaksinuar 20 milion njerëz brenda këtij muaji. Rreth 14 milion doza të vaksinave Pfizer dhe Moderna janë shpërndarë deri tani nëpër shtetet amerikane, u thanë zyrtarët gazetarëve.
Qysh në fillim të dhjetorit, zyrtarët pohuan se brenda këtij muaji do të viheshin në dispozicion 40 milion doza, të mjaftueshme për të vaksinuar 20 milion amerikanë me nga dy doza secilin. Qeveria ka thënë se për çdo dozë të dërguar deri tani, ajo mban një dozë të dytë rezervë. Edhe pse numri i dozave të shpërndara është afër objektivit për të arritur 20 milion njerëz, ritmi i vaksinimeve ka qenë shumë më i ngadaltë sesa parashikohej, sipas të dhënave të publikuara nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Vaksinimet e 21 milion punonjësve të kujdesit shëndetësor filluan më 14 dhjetor. Pastaj, do të imunizohen 3 milion banorët e shtëpive për të moshuarit, të cilët janë gjithashtu në grupin me përparësi. Pas tyre janë 51 milion punonjës të vijës së parë, si zjarrfikësit, policia dhe mësuesit, si dhe personat mbi 75 vjeç.