Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Kavajën, Erion Veliaj, inspektoi punimet për godinën e re të konviktit të shkollës profesionale në Golem, e cila ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. “Jemi shumë krenarë që ju shohim edhe sot në punë. Është fundjavë, por meqë tërmeti nuk bën pushim, meqë pandemia nuk bën pushim, as puna nuk duhet të bëjë pushim. Nga ecuria e punimeve duket sikur do të jetë gati për semestrin e dytë. Jam i sigurt se hyrja në konviktin e bujqësores do të kthehet në diçka shumë të kërkuar”.
Godina ekzistuese e konviktit ishte ndërtuar që në vitin 1925, nga një misionar amerikan, i lidhur shpirtërisht me çështjen shqiptare, por edhe me çështjen e arsimit. Bashkë me shkollën, e ndërtuar nga e para me investimin e buxhetit të shtetit 3 vite më parë, konvikti plotëson këtë vatër të rilindur dhe çon në vend dinjitetin e emrit të rëndësishëm që ato mbajnë.