Nga Enxhi Hoxha/

Jozefina Topalli është definim i pacënueshëm i gruas së hekurt në terrenin maskilist të politikës shqiptare, emër që të atashohet në kujtesë kurdo që rrjedh historia e ngritjes së partisë demokratike, një shkodrane plot sharm që synon zgjimin prej fjetjes mbytëse të lidershipit të Bashës, një figurë e vjetër për një frymë të re në strehën e përbashkët blu. Partia demokratike i besoi znj.Topalli drejtimin e njërit prej akseve më strategjike politike, qarkun e Shkodrës, të cilin e ktheu për pak vite në bastionin besnik të së djathtës, akt meritokratik i linjës së lidershipit të saj. Bekimi i pakursyer i Berishës, aprovimi i bazës demokrate dhe dinamika që ofronte në tryezat e diskurit publik, ishin garancia afatgjatë e ngjitjes së Jozefina Topallit në shkallët e politikës. Ulja në karrigen e kryetares së parlamentit, e veshi me kaftanin e një figure publike me impakt të madh në arenën e gjykimit të sovranit. Një zë potent që CV-ja politike e suporton për lajtmotivin e një revolucioni të brendshëm demokratik të së djathtës, ndaj së cilës sot PD është e distancuar.

Emërimi i Bashës në krye të PD zgjoi pakënaqësi e ngjalli polemika për emrat më të spikatur partiak, të cilët u rreshtuan kundër zgjedhjes së Bashës duke denoncuar publikisht garën abuzive me bindjen se cënimi i votës do të vërshonte regresin në parti. Intuita politike e nxënësve të pabindur të Berishës, triada Topalli-Bregu-Patozi si oponencë e afirmuar ndaj Bashës nuk u gabua, pasi në bilancet e dy mandateve opozitë kalkulohen materiale memesh, mashtrime publike e paaftësi në bankën e akuzës ndaj qeverisë së pandehur. Në post-komunizëm, Basha është kryeopozitari më i lakuar për përfshirje ilegjitime, gjurmë që pretendon t’i venisë nën petkun e influencës në hetuesinë e prokurorisë, ndonëse konsiderata prej juristi e bën t’i druhet një mburoje institucionale të abstenuar. Cungimi i opozitarizmit në vend dhe lakorja e padevijuar e Ramës, janë shtysa e trumbetimit të Jozefina Topallit që ngulmon në ofrimin e alternativës për cilindo demokrat të papajtuar me lakoren politike të Bashës, per këdo që ndihet si mysafir i paftuar në sofrën e tij. Refuzimi kategorik i një aleance përkrah lidershipit aktual të së djathtës, vendosmëria për t’u lexuar në listat e zgjedhësve, bindja e palëkundur se Basha është vetëmohim i demokracisë, e çojnë prej stolit Topallin, e veshin me fanellën blu për ta rifutur në lojën e fushatës zgjedhore, që besohet se s’është një bast paraprak apo ujdi burokrate. Demokratëve të pastrehë që braktisën ombrellën e Bashës, tashmë iu shtrohet një rrugëdalje prej labirintit të asgjëkundit, prej amullisë që s’kishte fokus, prej tymnajës që prodhonte çorbë të pagëlltitur. Një opsion i ri për elektoratin e së djathtës, një parti e re që s’premton politikë të vjetër, nje filiz shprese që projekton rritjen është regjistruar në gjykatë me akronim L.N, karta e munguar që ofrohet si “Lëvizja për Ndryshim”.

Ata që do t’i bashkohen hapave të furishem të negociatave anëtarësuese në partinë e re të së djathtës, do duhet të jenë të vetëdijshëm se potenciali i ri elektoral nuk i zhbën defiçitet e orkestrës së paekzekutuar në tetë vitet e opozitarizmit. Jozefina Topalli është shpresa e demokratëve të pagdhendur në murin e Bashës, por sidoqoftë aktiviteti politik i pasprovuar nuk e bën në asnjë rast fituese të zgjedhjeve, shpëtim i mbytur! Testi i kohës, mbetet sprova më e madhe për filizin e ri të demokratëve.