Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj si Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit në Shqipëri ishte pjesë e kremtimit të Ditës së Antikorrupsionit, në një forum të nivelit të lartë të Këshillit të Europës me tematikë parandalimin dhe uljen e korrupsionit në këto kohë pandemie. Ministrja Gjonaj u shpreh se, “shoqëritë tona janë përballur me sfida pa precedentë këtë vit për të parandaluar ndikimin e pandemisë në sektorë delikatë të prirur ndaj korrupsionit. Në këtë drejtim, përmirësimi i aftësisë për të ndarë përpjekjet dhe mësimet e nxjerra, sigurisht që është ndihmë për të përballuar më mirë një situatë të tillë të jashtëzakonshme dhe për të parandaluar pasojat negative çdo ditë në luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e një qeverisjeje të integritetit dhe sundimit të ligjit”.
“Shqipëria, krah vendeve të tjera në Europë dhe në të gjithë botën, ka punuar shumë në dekadën e fundit për t’u mundësuar qytetarëve një numër më të lartë të shërbimeve të dixhitalizuara dhe qeverisjes elektronike. Investimi ynë i deritanishëm në këtë shtyllë të qeverisjes së mirë, dha frytet e veta gjatë pandemisë, pasi tashmë kishim aplikuar mënyrën e thjeshtë për qytetarët për të marrë online një total prej 759 shërbimesh falë një arkitekture prej 53 shërbimesh elektronike të ndërthurura. Falë këtyre shërbimeve, jo vetëm trajtimi i pandemisë u bë më i mundur, por edhe vetë qeverisja funksionoi pa ndërprerje”, theksoi Gjonaj. Sipas saj, qeveria e Shqipërisë po bën më të mirën për të forcuar mekanizmat dhe metodat për parandalimin e korrupsionit në të gjitha fushat dhe duke marrë masa për arritjen e rezultateve për luftimin e korrupsionit, në përputhje me të gjitha rekomandimet e GRECO dhe standardeve të tjera evropiane dhe ndërkombëtare, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë të vendit që aspiron të jetë anëtar i BE-së.
Gjonaj po ashtu falenderoi Sekretarin Ekzekutiv të GRECO-s, Gianluca Esposito për mbështetjen e përpjekjeve antikorrupsion të Shqipërisë, të cilit i ritheksoi angazhimin këmbëngulës në luftën ndaj korrupsionit në vend. Situata e vështirë globale që po kalojmë është gjithashtu një kohë e përshtatshme për të gjitha qeveritë që të ritheksojnë dhe forcojnë angazhimin e tyre ndaj anti-korrupsionit dhe pajtueshmërisë me sundimin e ligjit, për të rritur bashkëpunimin dhe solidaritetin shumëpalësh. Pandemia ofron një mundësi për vendet tona për të forcuar qasjen dhe përpjekjet tona për antikorrupsion dhe integritet, duke përmirësuar qeverisjen në çdo plan”, tha Gjonaj.
“Në të njëjtën kohë, Qeveria e Shqipërisë po aplikon planet e integritetit në sektorë të shumtë, duke filluar nga shërbimet shëndetësore që janë vija e parë e betejës kundër pandemisë, një luftë kjo për të shpëtuar jetë dhe një qëndrim të fortë për të mbrojtur integritetin dhe për të thënë “jo” ndaj çdo tundimi korruptiv të ofruar”, shprehet Gjonaj. Më tej, ajo shtoi se “kjo krizë është një mundësi për të garantuar qëndrueshmërinë e Shqipërisë – jo vetëm kundër COVID-19. Vizioni ynë për të luf tuar korrupsionin duhet të zhvendoset drejt perspektivave të reja pasi politikat e vjetra dhe ritmi i ngadaltë nuk do të funksionojnë më”. Ne nuk duhet të investojmë në të kaluarën, por në të ardhmen dhe patjetër që nuk duhet ta shohim këtë si një krizë që i jep rrugë korrupsionit, por më tepër si një mundësi reale për një rimëkëmbje transformuese nga sëmundja e praktikave korruptive dhe mungesa e integritetit tek një shoqëri e shëndetshme dhe nën sundimin e ligjit”, përfundoi ajo.