Nga Sokol Paja/

Regjimi politik që qeverisi Shqipërinë 1945-1990 ishte totalitarizëm stalinist. Komunistët shqiptar nuk pranonin asnjë ideologji tjetër përveç marksizëm-leninizmit. Ateizmi shtetëror u kthye në ideologji zyrtare e funksionimit të shtetit monist. Propaganda antifetare e komunistëve shqiptarë në shtypin ateist, me qëllim që ta justifikonte para njerëzve vr asjen e klerikëve, shkatërrimin e institucioneve fetare dhe ndalimin e fesë me ligj, ushtroi për afro 50 vjet një propagandë agresive në të gjitha dritaret e shtypit, radios e televizionit.

Komunistët e akuzonin fenë në Shqipëri si veprimtari antikombëtare, antishkencore, fenë si instrument të politikave të huaja në Shqipëri, fenë si një pengesë të zhvillimit të rendit të ri komunist, feja si zakon i keq dhe i dëmshëm për shoqërinë, feja si ideologji reaksionare, feja si pengesë për çelikosjen dhe unitetin popull-parti. Totalitarizmi është regjim politik ku ka vetëm një parti të vetme politike që kontrollon, menaxhon dhe orkestron totalitetin e aktiviteteve të shoqërisë komuniste. Partia është gjithçka. Partia është drita dhe oksigjeni i skll evërve të shtypur. Me qëllim frikësimin e popullit dhe mbajtjen në nështrim e kontroll, regjimi komunist në Shqipëri përdori vr asjet, arrestimet, burgosjet, përndjekjet, shkatërrimet, torturat fizike dhe psikologjike që përgjatë 45- viteve të diktaturës ishin nga më të pashembulltat në Shqipëri dhe më gjërë.

Feja u sulmua pa pushim me fushata në media dhe veprime fizike të shkatërrimit të bazës institucionale, ideologjike, klerikale dhe spirituale. Feja binte ndesh me frymen totalitare dhe ideologjinë Marksiste-Leniniste dhe komunistët e shpallën të ndaluar. Kundër fesë, klerikëve dhe institucioneve për afro 50 vjet, regjimi komunist instaloi një makineri dhune, turture, frike e shkatërrimi, një aparat të tërë shtetëror, media, organizata partie, ndërmarrje, qëndra pune, shtëpi kulture, lëvizje studentësh, bashkime profesionale, koperativa fshati etj me qëllimin e vetëm zhdukjen përfundimtare të çdo elementi fetar në Shqipërinë pa zot. Një aspekt shumë i rëndësishëm i goditjes së klerit ishte sulmi ndaj festave fetare, riteve, por edhe bazës mbi të cilën ndërtohej një fe e caktuar. Në rastin e besimit katolik, Krtishtilindja është festa e dytë fetare më e rëndësishme e këtij besimi pas Pashkëve.

Propagandistët komunistë në shtypin e shkruar ateist deklaronin: Krishti s’ka ekzistuar kurrë dhe Krishtlindjet janë një legjendë, janë një mashtrim”, me këtë deklaratë propagandistike Jovan Vujoshi në shkrimin “Legjenda e Krishtit dhe Krishtlindjet, botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” të datës 22 dhjetor 1965 në numrin 101, në faqen 3, deklaron se klerikëve fetarë sipas J. Vujoshit u intereson që ta mbajnë sa më gjatë të gjallë këtë legjendë të “Krishtlindjes” që nuk ishte asgjë tjetër sipas komunistit Vojushi, veçse një mashtrim nga ku klerikët katolikë u shërbenin klasave shfrytëzuese me qëllim që të dërrmonin edhe më shumë klasat e shtypura.

Në shkrimin ateist thuhet: Shkenca thotë se nuk ka ekzistuar ndonji Krisht në botë, për këtë ajo niset nga faktet historike dhe nga mungesa e vërtetësisë në vetë shkrimet e ndryshme fetare pasi sipas shkrimit propagandistik, në kohën që bëhet fjalë s’ka ekzistuar Krishti pasi ka pasur shumë historianë e shkrimtarë të cilët me siguri do kishin dokumentuar diçka rreth kësaj figure siç mendohet kaq të rëndësishme për katolikët – arsyeton komunisti Vojushi.

Mbajtja e gjallë e ritit fetar të Krishtlindjes dhe kthimi i saj në një legjendë sipas propagandistit komunist Vojushi, ndihmoi edhe më shumë në nënshtrimin e besimtarëve, në shtypjen e tyre, zhytjen e tyre në iluzionin se feja është shpëtim në botën tjetër. Shkenca sipas propagandistit ateist Vojushi e ka treguar dhe e ka vërtetuar shkencërisht se s’ka ekzistuar Krishti, se s’ekziston bota e përtejme dhe se lumturia gjendet e duhet gëzuar në tokën komuniste. Lumturia sipas propagandistit komunist të kohës Vojushi, vinte me revolucion, nga marrja e pushtetit gjoja shfrytëzuesve e shtypësve fetarë, lumturia në këtë botë vinte me punë për ndërtimin e socializmit. Duke goditur festat kryesore apo ngjarjet më të rëndësishme të një feje të caktuar, komunistët synonin nëpërmjet mediave ti mbushnin mendjen njerëzve se feja ishte diçka jo e vërtetë, e pa bazuar shkencërisht dhe ishte një legjendë mashtruese.

Sistemi komunist që sundoi Shqipërinë për afro 50 vjet, në themel të ndërtimit të shtetit totalitar kishte si qëllim eleminimin e kundërshtarëve, eleminimin e fesë dhe një propagandë ekstreme në media duke manipuluar masat sipas nevojave të pushtetit me qëllim mbajtjen të shtypur e të nënshtruar të popullit shqiptar.