Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë kryer gjatë ditës së sotme 521 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin ne zbatim të planit të punës por edhe si pjesë e Taskforcës antiCovid. AKU, bën të ditur se, gjatë kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore në operatorë të biznesit janë dhënë 13 masa me paralajmërim përgjithësisht për rinovim të librezave shëndetësore dhe rinovim të analizave të ujit. Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 31 mostra në monitorim të produktit qumësht dhe të fruta-perimeve.

Në zbatim të Urdhrit “Për bashkërendimin e inspektimeve për zbatimin e protokolleve të sigurisë në kuadër të Taskforcës antiCOVID-19” inspektorët e DRAKU-ve përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 432 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Autoriteti Kombëtarë i Ushqimit është i pranishëm gjatë gjithë kohës në terren për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të rritur cilësinë e jetës së konsumatorëve. AKU i bën apel qytetarëve të kontaktojnë AKU për çdo problematikë. “Pasi në këtë angazhim jemi bashkëpunëtorë”- thekson AKU.