Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë kryer gjatë ditës së sotme inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin ne zbatim të planit të punës por edhe si pjesë e Taskforcës antiCovid. Gjatë kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore në operatorë të biznesit janë dhënë 21 masa me paralajmërim përgjithësisht për rinovim të librezave shëndetësore dhe rinovim të analizave të ujit. Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 50 mostra në monitorim të produktit qumësht dhe te bukës.

Gjithashtu me kërkesë të vetë subjektit janë asgjësuar rreth 88 kg produkte ushqimore. Në zbatim të Urdhrit “Për bashkërendimin e inspektimeve për zbatimin e protokolleve të sigurisë në kuadër të Taskforcës antiCOVID-19” inspektorët e DRAKU-ve përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 261 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Referuar respektimit të protokolleve të sigurisë antiCovid, gjatë monitorimit është konstatuar se subjektet i respektojnë kushtet higjieno-sanitare dhe respektohet përdorimi i maskave.