Edhe sot, si çdo ditë prej shumë ditësh, opozita bëri shfaqjen publike kundër bashkisë së Tiranës. Kundër bashkisë? Mos doje të thoje qeverisë? Jo, pikërisht ashtu. Ndoshta jo të gjithë e kanë vënë re se opozita jashtëparlamentare në këtë vend, sidomos Partia Demokratike, nxjerr ditë pas dite përfaqësuesit e saj të kritikojë punën e bashkisë së kryeqytetit. “Çne, jemi përpara zgjedhjeve të pushtetit vendor apo zgjedhjeve parlamentare? Si ka mundësi që PD ka targetuar Erion Veliajn dhe bashkinë, njësoj si qeverinë e Edi Ramës?”, mund të pyesë shumëkush. Përgjigja mund të merret me mend, por mund të fshihet edhe në shifra. Një sondazh i publikuar dje nga instituti i njohur italian “Piepoli” në televizionin “Report TV” mund të jetë përgjigja për qëndrimin e PD. Në sondazhin parazgjedhor të “Piepolit”, pyetjes se cilën parti politike do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, qytetarët e Tiranës iu përgjigjën: 56 – 60% PS 30 – 34% PD 2 – 4% LSI
Siç vërehet nga përgjigjet e sondazhit, situata është dukshëm “pro” Partisë Socialiste. E përthyer në vota, do të kishim një “fitore plebishitare” siç parapëlqen të thotë Berisha, ose “qindëra mijëra shuplaka”, siç parapëlqen të thotë Rama. Duhet thënë se “Piepoli” është një institut prestigjioz sondazhesh, pavarësisht se fjala ‘prestigj’ është inflacionuar shumë së fundmi. Verifiko për të besuar, më poshtë mund të shikoni sondazhin e “Piepolit” para zgjedhjeve parlamentare 2017. Thjesht, rezultatit i kanë rënë në kokë.
Nëse do t’i besojmë “Piepolit” dhe qytetarëve që janë përgjigjur në sondazh, mandati i tretë i qeverisë “Rama” është gjithnjë e më i prekshëm. Drejtuesi i fushatës elektorale të PS në Tiranë është Erion Veliaj. Me 56-60% të votave në kryeqytet, partia në pushtet do ta kishte të blinduar fitoren. Dhe për këtë, merita kryesore do t’i shkonte padiskutim Veliajt si “kali i betejës” që bashkë me kolegët po udhëheqin fushatën e kryeqytetit. Ndaj, kjo shpjegon bataretë e përditshme të opozitës ndaj punë së bashkisë. Kjo i jep përgjigje çudisë që pse PD-ja është fokusuar tek pushteti lokal, po aq sa tek ai qëndror. Kur themi fokus, nënkuptojmë sulme. Se në fakt, opozita i kishte bashkitë aty dhe refuzoi të merrte pjesë në zgjedhjet e 2019. Një humbje “historike”, njësoj si ajo e pritshmja në 2021.