Nëse do duhej që të veçonim në javën që po lemë pas, një tendencë të re që po shfaqet në shoqërinë shqiptare, ajo u pa tek personazhet publikë si Elvis Naçi dhe Ermal Mamaqi. Çfarë ka ndodhur dhe kush është pika që i bën bashkë, këto dy njerëz kaq të ndryshëm?
I pari, Elvis Naçi është një hoxhë që prej kohësh e ka rritur popullaritetin, për shkak të një ndërmarrje bamirëse në ndihmë të shqiptarëve të varfër e në hall. Ajo është e fokusuar tek bërja e familjeve të pastreha, me banesa të reja. Por, edhe tek ndihma shëndetësore e të varfërve. Përmes fondacionit të tij, është angazhuar në rindërtimin e banesave të disa familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Thyerja e parë erdhi kur u bë publik lajmi se veprimtaria e tij, përtej predikimeve fetare dhe bamirësisë u fut në fushën e biznesit. Publikimi i lajmit për blerjen e spitalit “Continental”, nga fondacioni i tij për 350 mijë euro, prodhoi debate. Ndërsa ajo që i çoi ato në një nivel të ri këtë javë, ishte lajmi se ai kishte hyrë edhe në biznesin e syzeve, përmes një dyqani ku kërkoi lutjet e besimtarëve që “tu ecte mbarë”!
Pak a shumë kjo është edhe metamorfoza e Ermal Mamaqit. Nga Dj, këngëtar dhe aktor humori, ai hyri në biznesin e eventeve dhe organizimit të dasmave, e më pas në atë të produksionit kinematografik, duke arritur të prodhonte filma humori. Të gjitha diti ti marketonte në mënyrë të shkëlqyer, e përmes mediave tradicionale dhe rrjeteve sociale, u bë një nga njerëzit më të ndjekur e të pëlqyer. Të gjitha këto, iu përkthyen në të ardhura që siç ka thënë vetë, shumë të mira. Pas kësaj ai nisi të jeptë këshilla për të tjerët. E ajo më e vyera ishte: “Mos lexoni budalliqe, ka ca që lexojnë romane. Nuk kam gjë kundër tyre, por kush lexon më romane tani!” Kaq u desh që të vinte furtuna e parë kundër tij. Por ai që predikoi mosleximin, si mënyrë për të ecur para në jetë, u “zbulua” se jepte leksione.
Çmimi që duhej paguar për tu trajnuar nga Ermal Mamaqi ishte aq i kripur sa provokoi një tjetër furtunë. Po pse krijuan kaq zhurmë, këto dy personazhe kaq të ndryshëm, këtë javë? Ka disa arsye, por më kryesoret janë:
E para, si Naçi ashtu dhe Mamaqi për aq kohë sa kanë qenë në rolet e tyre natyrale, janë mbështetur dhe adhuruar pa kushte, duke ua rritur kuotat publike deri në atë pikë sa ndoshta as ata vetë nuk e kanë ëndërruar më parë.
E dyta, në momentin që ata kanë dalë nga këto dy role, duke dashur që ta shndërrojnë çdo gjë në biznes vetëm për përfitime personale, ata kanë stonuar dhe aty ka filluar kontestimi i tyre.
E treta, zgjedhja për të bërë biznese në rrugë atipike për profilin dhe arsyet pse ishin bërë të famshëm, në vend që ti ndihmonte, u vuri pikëpyetje edhe mbi ato që kishin arritur më parë.
E katërta, publiku edhe mund të manipulohet, por jo deri në atë pikë sa të luten që ti të fitosh sa më shumë para në biznesin tend privat dhe këtë tua shesësh, sikur ti po e bën për të mirën e tyre.
Dhe e fundit, njerëzit nuk mund të pranojnë me sa duket, të marin leksione nga dikush që nuk lexon e për rrjedhojë, nuk ka as se çfarë tju transmetojë. E më keq akoma, kur këtë kërkon tua shesë edhe si diçka në të mirë të tyre dhe jo thjeshtë si një biznes personal fitimprurës. Pësimi që patën gjatë kësaj jave, mund të shërbejë si mësim jo vetëm për Elvis Naçin e Ermal Mamaqin, por edhe për vetë shoqërinë shqiptare për të mos u zhgënjyer më si jorrallëherë në këto 30 vite./ALPE