Lëkundjet e tërmetit mëngjesin e sotëm në Ishëm të Durrësit, nuk kanë sjellë dëme materiale por kanë shqetësuar qytetarët. Në Durrës qytetarët e kanë përballuar mirë situatën dhe nuk janë panikosur. Si duket ata janë mësuar me paslëkundjet që kanë shoqëruar vendin tonë që nga tërmeti i fortë i vitit të kaluar. Ndërkaq nuk raportohen dëme materiale në këtë zonë.
Në Krujë lëkundjet krijuan panik te qytetarët pasi shumë pallate dhe godina të dëmtuara nga tërmeti i vitit të kaluar vijojnë të jenë në këmbë. Fatmirësisht as në këtë zonë nuk pati dëme materiale.
Lëkundjet janë ndierë edhe në Lezhë, por më shumë janë dëgjuar në zonën e Kurbinit. As në këtë zonë s’ka dëme materiale, sipas raportimeve paraprake. Edhe këtu qytetarët janë shqetësuar sepse ka ende godina të dëmtuara nga tërmeti i vitiit të kaluar, por e kanë përballuar mirë situatën.